Ish-zëvendësministri i VV-së kundër shtyrjes së zgjedhjeve: Situata pandemike duhet të përmirësohet deri në tetor

Prishtinë | 11 Sht 2021 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Ish-zëvendësministëri i Arsimit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jusuf Thaçi, thotë se zgjedhjet komunale në Kosovë nuk duhet të shtyhen por të mbahen në afatin e paraparë kushtetues.

Thaçi thotë se nuk mund të lejohet që i gjithë pushteti komunal të mbetet pa legjitimitet, teksa shton se situata pandemike duhet të përmirësohet deri në tetor, transmeton Ekonomia Online.

“Zgjedhjet komunale në Kosovë nuk duhet të shtyhen, por duhet të mbahen në afatin e paraparë kushtetues/ligjor. Nuk mund të lejohet që i gjithë pushteti komunal (ekzekutivi dhe legjislativi) në Kosovë të mbetet pa legjitimitet”, ka shkruar Thaçi.

Përmes një shkrimi në Facebook, Thaçi thotë se situata pandemike duhet të përmirësohet deri në tetor.

“Ka kohë mjaftueshëm që deri në ditën e zgjedhjeve komunale (17 tetor 2021) situata me pandeminë në Kosovë të përmirësohet përmes masave të duhura anti-Covid, normalisht nëse partitë politike organizojnë fushatë zgjedhore në përputhje me këto masa (gjë që duhet ta bëjnë patjetër, nëse jo nga vetëdija e duhur, atëherë nga detyrimi ligjor)”, ka shkruar ai.

Të ngjashme