Islami: Serbët përmes incidenteve në veri po kërkojnë të marrin kompetenca shtesë

Prishtinë | 20 Pri 2017 | 15:03 | Nga

Fundjavën e kaluar qytetarët e Kosovës u alarmuan lidhur me mundësinë e ndonjë sulmi terrorist për shkak të festës së Pashkëve.

Organet e sigurisë në vend mbajtën edhe takime lidhur me gjendjen e sigurisë. Policia e Kosovës dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës u mobilizuan për një eskalim të mundshëm të situatës.

Mirëpo, disa ditë pas situata e sigurisë vlerësohet stabile. Njohësi i fushës së sigurisë në vend, Avni Islami, në një prononcim për Telegrafin tregoi se situata e përgjithshme në Kosovë është konform situatës në rajon dhe është më e mirë se vitet e kaluara.

Por, një ekipi nga Mbretëria e Bashkuar i përbërë nga rreth 30 trupa ushtarake arriti në Kosovë një ditë më parë, për t’iu bashkuar forcave të NATO-s në Kosovë me qëllim në ruajtjen e sigurisë, mbrojtjen dhe lirinë e lëvizjes.

E, kjo sipas Islamit nuk ka të bëjë me situatën e sigurisë në vend.

“Lëvizjet e forcave ushtarake të NATO-s e kanë rutinë të cilën ata e bëjnë për shkaqe objektive të veta dhe nuk ndërlidhet me gjendjen e përgjithshme të sigurisë së Kosovës”, tha ai.

Islami tha se beson fuqishëm në organet e sigurisë në Kosovë dhe assesi sipas tij grupet e caktuara kriminale që pretendojnë të destabilizojnë situatën nuk do t’ia arrijnë një gjë të tillë.

“Jam i bindur që grupe të caktuara kriminale nuk kanë aftësi ta destabilizojnë Kosovën. Besoj fuqishëm në institucionet e Kosovës. Grupet që tentojnë destabilizim, ende pa filluar do të neutralizohen dhe kapen nga organet e sigurisë sepse në këtë aspekt ata po punojnë që t’i parandalojnë aktet e tilla kriminale”, tha më tej Islami.

Ndërkaq, duke folur për gjendjen në veri të Mitrovicës, ai u shpreh se minoriteti serb po bën me qëllim veprime të ndryshme për të prezantuar situatën si të brishtë dhe për të përfituar kompetenca shtesë.

“Politika destruktive e minoritetit serb në Kosovë me direktiva të Serbisë i bëjnë që të gjejnë forma dhe mënyra që ta destabilizojnë situatën dhe veriun e Kosovës ta paraqesin sa më tepër që është e mundur si situatë jo e qetë – jo stabile. Ashtu i konvenon Qeverisë së Serbisë pasi tash nuk po mund të bisedohet rreth Asociacionit të komunave serbe, kinse nuk ndihen serbët rehat në pjesën veriore të Kosovës dhe në këtë mënyrë tendenca është që t’i rrisin kërkesat e të kenë kompetenca shtesë. Kinse nuk ka siguri të mjaftueshme dhe se institucionet e Kosovës nuk janë në gjendje që t’i mbrojnë minoritetin serb në Kosovë. Ata kërkojnë që në të ardhmen të kenë kompetenca shtesë sa i përket gjykatave, prokurorisë etj”, shtoi tutje Islami.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme