Ismaili: 50 milionë euro për pajisje dhe infrastrukturë për QKUK-në dhe Spitalet e Përgjithshme

Prishtinë | 27 Sht 2019 | 19:02 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë ka organizuar sot ceremoninë përmbyllëse të studimit të fizibilitetit për ngritjen e infrastrukturës fizike të institucioneve shëndetësore dytësore dhe tretësore, të financuar nga Komisioni Evropan përmes kornizës për investime në Ballkanin Perëndimor.

Projekti që tejkalon 50 milion euro, parashikohet të bashkëfinancohet nga Banka Europiane e Investimeve (EIB) dhe fondet kombëtare përmes Ministrisë së Financave, në mesin e burime të tjera.

Qëllimi i Planit të Investimeve është sigurimi i pajisjeve mjekësore shumë të nevojshme për QKUK-në në Prishtinë dhe për Spitalet e Përgjithshme.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se ky projekt ka qenë shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ngritjen e sistemit shëndetësor në Kosovë.

“Ky është një hap i madh konkret që përforcon sektorin e shëndetësisë si një prioritet kombëtar duke iu përgjigjur nevojave të mëdha sociale të qytetarëve tanë. Sot prezantuam projektin që i hapë rrugë dhe parasheh një investim të kredisë prej 50 milionë euro në pajisje dhe infrastrukurë për spitalet tona. 26 milionë euro për QKUK-në dhe 26 milionë euro të tjera për Spitalet e Përgjithshme që të modernizojmë pajisjet mjeksore dhe infrastrukurën spitalore”, tha ministri Ismaili.

Më tej, ai shtoi se me këtë investim , shëndetësia jonë do të jetë në gjendje të kapërcej mungesat e mëdha të krijuara nga buxheti i vogël shumëvjeçar dhe të krijoj shërbime dinjitoze shëndetësore. “Qytetarët tanë do të marrin të gjitha shërbimet mjeksore në spitalet publike pa pasur nevojë që të shpenzojnë buxhetin e tyre familjar diku tjetër”, shtoi ai.

Implementimi i suksesshëm i këtij studimi të fizibilitetit do të përmirësoj dhe modernizoj infrasatrukturën spitalore dhe pajisjet mjekësore në Institucionet Publike Shëndetësore.

Do të rriten kapacitetet diagonostike dhe terapeutike për qytetarët tanë duke krijuar një sistem shëndetësorë të qëndrueshëm, cilësor dhe të sigurtë.

Studimi i fizibilitetit dhe analiza e opsioneve gjithashtu përmbajnë rekomandime strategjike të rëndësishme për përafrimin më afatgjatë të standardeve të kujdesit shëndetësor të Kosovës ndaj atyre që mbizotërojnë në BE. 

Të ngjashme