Ismaili propozon të ngrihen tenda mobile që të testohen nga Coronavirusi

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh anëtar i Komisionit për Shëndetësi, ka bërë një propozim, që të ngihen disa tenda mobile për izolim sa më të hershëm të qytetarëve që testohen për Coronavirus.

Sipas një postimi në rrjetin social Facebook, Ismaili ka thënë se çdo vonesë për krijimin e kapaciteteve të reja e të izoluara e shumëfishon rrezikun për shpërndarje të virusit. Andaj, sipas tij veprimet e Qeverisë janë jetike për të krijuar masa për të mbrojtur qytetarët dhe personelin shëndetësor.

Me poshtë gjeni postimin e tij:

Virusi COVID-19 apo Cornavirusi tanimë ka prekur gati të gjithë Evropën. Fatmirësisht, në Kosovë ende nuk ka ndonjë rast të konfirmuar.

Kjo na ka dhënë mundësi që të përgatitemi më mirë.

Shembujt në shtetet perëndimore që po ballafaqohen me këtë pandemi tregojnë se problemi kyç i trajtimit është mbrojtja e personelit shëndetësor, menaxhimi i fluksit të madh të pacientëve si dhe adaptimi i hapësirave spitalore të sterilizuara.

Për këtë arsye, Qeveria së bashku me akteret tjerë duhet që menjëherë të krijojë hapësira të jashtme ku qytetarët që dyshojnë se janë prekur nga kjo pandemi të kenë mundësi të kontrollohen në ambiente të sterilizuara plotësisht, jashtë institucioneve shëndetësore.

Mundësi për këtë janë objektet e pashfrytëzuara apo edhe tenda të ngritura enkas për këtë situatë.

Kjo do mundësonte që qytetarët që kërkojnë testim të mos enden nëpër Emergjencë apo klinika të tjera, por ata do të shkonin direkt të akomodohen në këto hapësira të triazhimit.

Përhapja e shpejtë e virusit është alarmuese, prandaj edhe izolimi në kontaktin e parë me sistemin shëndetësor është jetik si për qytetarin ashtu edhe për personelin shëndetësor.

Çdo vonesë për krijimin e kapaciteteve të reja e të izoluara e shumëfishon rrezikun për shpërndarje të virusit.

Veprimet e Qeverisë janë jetike për të krijuar masa për të mbrojtur qytetarët dhe personelin shëndetësor.

Të ngjashme