Italia përkrah Kosovën për paqe dhe stabilitet në rajon

Prishtinë | 19 Jan 2017 | 16:12 | Nga

Komisioni për Punë të Jashtme i Dhomës së Deputetëve në Romë, i udhëhequr nga kryetari Fabrizio Cicchitto ka lëshuar sot njoftimin për medie ku ka njoftuar se shteti i tij vazhdon të mbështesë fuqishëm Republikën e Kosovës në angazhimin e saj për paqe dhe stabilitet në rajon.

Përkrahjen për Kosovën, Cicchitto ia ka konfirmuar ambasadores së Kosovës në Romë, Alma Lama të cilën e ka takuar sot gjatë ditës.

Takimi ka shërbyer për të ndarë shqetësimin e të dyja palëve në lidhje me provokimet aktuale nga ana serbe, duke iu referuar episodit të trenit për rihapjen e linjës Beograd-Mitrovicë, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast është vlerësuar se ky veprim mund të shkaktonte një incident të tipit ushtarak nëse nuk do të kishte pasur një reagim të moderuar dhe të matur nga pala kosovare kundrejt sjelljes agresive që është karakteristike e lidershipit aktual serb ndaj Kosovës dhe vendeve në rajon.

Kjo sjellje është theksuar se ka pasur si qëllim destabilizimin e Kosovës dhe fragmentizimin e mëtejshëm të opinionit publik të minoritetit serb, i ndarë midis pjesës jugore e integruar në institucione dhe pjesës veriore e orientuar nga Beogradi.

Me këtë rast kryetari Cicchitto theksoi solidaritetin maksimal dhe mbështetjen e plotë të Republikës italiane ndaj Republikës së Kosovës në angazhimin e saj për paqe dhe stabilitet në rajon.

Ky angazhim varet fuqishëm nga masat që do të ndërmerren nga institucionet e brendshme të Prishtinës për të konsoliduar shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave themelore duke filluar nga liria e informimit.

Kryetari Cicchicto gjithashtu ka përmendur edhe rolin pozitiv që po luajnë  në këtë drejtim ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme