Iu gjetën 0.8 gram marihuanë, i akuzuari del para gjykatës në Prishtinë

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 12:56 | Nga Ekonomia Online

A.K ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën se në vitin 2019 gjatë një kontrolle nga policia në xhepin e tij iu gjet 0.8 gram marihuanë.

Një deklarim të tillë, i akuzuari e ka dhënë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Eset Rama të martën në seancën fillestare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po gabimi i jemi u kon, në xhep sma kan gjet po e jemja u kon”, tha i akuzuari.

Ai shtoi se është penduar për veprën penale dhe se rreth 2 vite i njëjti nuk është më përdorues i substancave narkotike.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit e ka mbështetur prokurori Rama dhe si i tillë është aprovuar nga gjykatësja e rastit Donikë Shala-Abdyli.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 23 dhjetor 2019, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, A.K po akuzohet se më 25 maj 2019 në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, gjatë patrullimit nga hetuesit e Departamentit për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë i njëjti fillimisht është ndalur nga policia.

Aktakuza thotë se, pastaj gjatë kontrollimit në xhepin e tij i është gjetur dhe konfiskuar një cigare me substancë narkotike të llojit marihuanë në peshë të përgjithshme prej 0.8 gram.

Me këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 paragrafi 1 Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tre vjet.

Të ngjashme