Izeti: Me izolimin si pasojë e pandemisë, janë shtuar rastet e dhunës në familje

Prishtinë | 06 Pri 2020 | 21:05 | Nga Ekonomia Online

Selvi Izeti, psikologe në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka folur në lidhje me menaxhimin e rasteve të dhunës në përgjithësi, dhe të asaj gjatë kohës së pandemisë.

Izeti, në emisionin e ri të KTV-së, “Raport”, tha se me përhapjen e pandemisë, po përhapet edhe ankthi e frika. Ajo thotë se krahas virusit, armiku tjetër më i madh është paniku.

“Në këtë kohë pandemie, është më se normale që njeriu të posedojë një dozë të ankthit dhe frikës sepse po ballafaqohemi me një armik të pa fytyrë dhe nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo gjendje – krejt kjo po krijon pasiguri. Kjo pasiguri po e ushqen akthin tek njerëzit në përgjithësi, e veçanërisht tek popullatat e ndjeshme. Ne punojmë me kategoritë e dala nga lufta, kryesisht me viktimat e dhunës seksuale dhe me persona që kanë përjetuar trauma të ndryshme gjatë luftës, dhe ne kemi qenë të përgatitur se me koronavirusin do të vijnë edhe traumat e tyre. Kjo edhe ka ndodhur, dhe qysh me 16 mars kemi nis t’i ofrojmë shërbimet online. Kemi parë që tek shumë të mbijetuara veç është ndezur trauma e tyre si pasojë e izolimit. Kanë filluar të kenë kujtime të shpeshta të luftës, dhe është aktivizuar stresi postraumatik, depresioni dhe ankthi. Kemi vërejt se në panik dhe në ankth janë edhe persona tjerë që s’kanë qenë të ekspozuar direkt në traumë, si p.sh., fëmijët e të mbijetuarave, të cilët po ashtu po kërkojnë ndihmë”, tha Izeti.

Ajo u shpreh se dhuna në familje konsiderohet se është pandemi vdekjeprurëse në botë, ndërsa theksoi se me izolimin si pasojë e koronavirusit, është shtuar edhe dhuna në familje – raste janë dyfishuar dhe trefishuar në botë. Edhe në Kosovë, Izeti tha se ka ndodhur njëjtë.

Ajo tregoi për një rast të fundit, ku një grua, si pasojë e dhunës në familje, është dashur ta ndërrojë qytetin dhe të vijë në Prishtinë të banojë me qira.

“Por tani, si pasojë e gjendjes me koronavirusin, ajo ka humbur punën, dhe në të njëjtën kohë, për t’ia rënduar gjendjen asaj, pronari i shtëpisë ku ajo banon me qira, i ka dhënë ultimatum që deri më 15 prill të largohet nga shtëpia. Tani, nga ana e saj, kemi të bëjmë me një ankth dhe panik shumë racionale, sepse ajo po ballafaqohet me mënyrën se si t’ia dalë”, tha psikologia Izeti.

Ajo thotë se ka edhe shumë më shumë raste të këtilla, por që nuk arrijnë as t’i raportojnë rastet.

“Viktimat në përgjithësi duhet ta kenë ndjesinë se janë të mbështetura. Ne duhet të jemi vigjilentë dhe aktivë dhe kur kemi raste se fqinjët a familjarët mund të jenë pre e dhunës në familje, jemi ne ata që duhet ta raportojmë këtë. Në shumicën e rasteve konsiderohet që dhuna në familje ndodh brenda mureve dhe është punë e dikujt. Por ajo është punë e jona, duhet ta raportojmë. Edhe gjatë gjendjes së COVID-19, viktimat mund ta raportojnë dhunën, sepse me izolimin që është krijuar, ato mendojnë se medoemos duhet të jetojnë me abuzuesin”, tha Izeti në “Raport”.

Të ngjashme