Izolohet edhe personi i tretë në Shqipëri, dyshohet se është i prekur me Coronavirus

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 10:59 | Nga Ekonomia Online

Një tjetër person dyshohet se është prekur nga Coronavirusi në Shqipëri krahas dy të tjerëve që u konfirmuan mbrëmë.

Gazetarja Ajgena Korbi bën me dije nga spitali Infektiv se një tjetër person është sjellë aty duke u izoluar dhe dyshohet se është i prekur.

“Burime nga spitali më bëjnë me dije se ka simptoma të COVID-19, por janë analizat e specializuara që do të saktësojnë nëse kemi të bëjmë vërtetë me një të prekur të tretë”, raporton gazetarja.

Zbulimi i dy rasteve me koronavirus në Shqipëri ka bërë që qeveria të marrë masa duke mbyllur shkollat për dy javë. Ndërkohë, janë ndaluar fluturimet me Italinë deri në 3 prill.

Ndërkohë, Abc News zbuloi se dy personat e prekur jetojnë në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë dhe janë babë e bir. Ata kanë hyrë në Shqipëri më datë 26 shkurt nga pika e Hanit të Hotit.

Që nga ajo ditë, ata kanë patur kontakte të vazhdueshme me qytetarë të tjerë.

ISHP njoftoi më parë se janë duke kontaktuar me personat të cilët mund të kenë patur kontakt me dy personat e infektuar për të parë nëse ka apo jo shenja tek ata.

Ka një shqetësim të madh për faktin se ata mund të kenë infektuar edhe të tjerë, por deri më tani nuk ka asnjë për të tillë.

Në një lidhje live me studion e Abc News nga spitali Infektiv, gazetarja Ajgena Korbi informoi se janë futur në karantinë edhe të afërmit e personave të prekur.

Abc News zbuloi se të prekurit janë V.K 54 vjeç, dhe P.K 28 vjeç.

Të ngjashme