Ja kur shpallet konkursi për Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së

Prishtinë | 18 Maj 2022 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e datës 17 maj, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka njoftuar se ka aprovuar rregulloren për procedurat e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të lartë të RTK-së. Sipas njoftimit, administrata e RTK-së është autorizuar që ta shpallë konkursin për Drejtor te Përgjithshëm të RTK- së me datën 23 maj 2022.

Në komunikatë thuhet se rregullorja përmban gjithsej 26 nene duke rregulluar dhe përcaktuar procedurat, kriteret, kushtet e veçanta, procedurat e vlerësimit dhe ato të intervistimit të anëtarëve të menaxhmentit të lartë, nisur nga drejtori i përgjithshëm i transmetuesit publik.

“Si i tillë, ky dokument është hartuar nga një grup punues brenda RTK-së i krijuar për këtë qëllim dhe është shqyrtuar në disa takime nga Bordi i RTK-së. Gjithashtu, rregullorja iu është dërguar për komente shtesë palëve të interesit si sindikatave të RTK-së dhe organizatave të shoqërisë civile të cilat e monitorojnë punën e bordit. Gjatë procedurës së shqyrtimit të rregullores, Bordi i RTK-së ka pranuar komente nga Lëvizja FOL dhe nga Zyra e përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, të cilat i ka shqyrtuar dhe disa nga komentet i ka përfshirë në rregullore në prani edhe të organizatave monitoruese”, thuhet në komunikatë.

“Pas miratimit të Rregullores për Procedurat e Përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm dhe Menaxhmentit të lartë të RTK-së, Bordi në këtë mbledhje ka marrë vendim për shpalljen e konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së”, thuhet në fund.

Të ngjashme