Jakup Krasniqi është transferuar në Hagë, konfirmon Gjykata

Prishtinë | 04 Nën 2020 | 23:40 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Speciale e ka konfirmuar se Jakup Krasniqi është transferuar për në Hagë.

Krasniqi i cili u arrestua sot në shtëpinë e tij në Prishtinë, është transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Arrestimi u krye nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuara nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në kryerjen e arrestimit, ZPS-ja pati mbështetjen operative dhe logjistike të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në.

“Në kohën e duhur do të jepet informacion i mëtejshëm duke përfshirë informacion mbi publikimin e aktakuzës me redaktimet e nevojshme. Në pajtim me rregullën 88 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, aktakuza bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara.

Të ngjashme