Japonia do ta mbështesë Kosovën për përmirësimin e cilësisë së ajrit

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 10:45 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me Agjencinë Japoneze (JICA), kanë mbajtur konferencën  rajonale përmbyllëse lidhur me “Projektin e zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës”, raporton Ekonomia Online.

Në kuadër të kësaj konference ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu tha se ky projekt është e një rëndësie të madhe sepse ndotja e ajrit është shqetësim për të gjithë.

“Falënderoj Qeverinë Japoneze për kontributin e dhënë në këtë projekt dhe në përgjithësi. Ndotja e ajrit tejkalon numrat e lejuar dhe që vjen nga shumë faktorë”.

“… qasja mjedisore kërkon një përfshirje të të gjithëve për të krijuar një ambient të pastër. Ky projekt ka rëndësi të madhe, dhe përfshin tetë komponentë të veçantë dhe na ka ndihmuar mjaftë shumë”, tha Aliu.

Kurse i ngarkuari me punë nga Ambasada e Japonisë në Kosovë, Mitsunori Ogasawara theksoi rëndësinë e këtij projekti, i cili sipas tij, është punuar me shumë zell.

Madje ai ka garantuar se do ta mbështesin Kosovën për përmasimin e cilësisë së ajrit.

“Ky projekt është punuar me shumë zell, duke përfshirë këtu edhe sfidat me pandeminë duke e parë të nevojshme të them se gjatë pandemisë cilësia e ajrit ka qenë më e mirë”.

“Kjo flet edhe për bashkëpunimin e ndërsjellët që kemi me Shtetin e Kosovës. Ndotja e ajrit është njëra ndër shqetësimet kryesore të të gjitha vendeve”, tha ai.

Visare Hoxha, nga Departamenti për mbrojtjen e mjedisit në MMPHI, diskutoi mbi çështjet e menaxhimit të cilësisë së ajrit në Kosovë dhe prezantimin e projektit mbi kapacitetet e ajrit.

Hoxha tha se ka pasur tejkalim të vlerave sa i përket cilësisë së ajrit duke shënuar rritje të ndotjes kohëve të fundit.

“Me një buxhet rreth 4 milionë euro është punuar në këtë projekt”, tha tutje Hoxha.

Edhe Shkumbin Shala nga IHMK tha se në kuadër të këtij projekti dhe bashkëpunimit tre vjeçar me shtetin japonez, është bërë punë e madhe, raporton EO.

“Në kuadër të projektit është bërë punë e madhe, lidhur me manualin për monitorimin e zonave të Prishtinës dhe anasjelltas për operimin e punës dhe mirëmbajtje e sistemit dhe analizatorëve”, tha Shala.

Të ngjashme