Jasharaj: Çfarë vlere do të kishte greva nëse do të kompensoheshin orët e humbura?

Prishtinë | 15 Pri 2019 | 19:06 | Nga Ekonomia Online

Kanë kaluar dy muaj prej kur Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u nuk po e arrijnë një marrvëeshje për zëvendësimin e orëve të humbura në grevën trejavëshe të mësimdhënësve.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se po të ndodhte një situatë e tillë në ndonjë vend tjetër, orët e humbura nuk do të zëvendësoheshin.

“Nëse do të ishim në cilindo shtet të botës nuk do të flitej fare për kompensimin e orëve të humbura në grevë. Me përmbylljen e grevës do të përmbyllej gjithçka”.

“Ligji për Grevat që është aktual – dhe nuk e kemi bërë ne – nuk e obligon grevistin që të kompensojë ditët dhe orët e humbura në grevë. Ne për herë të parë po mundohemi që sindikatat të jenë vërtet sindikata dhe jo të bëjnë një lojë të caktuar”.

Jasharaj ka thënë se kjo grevë dhe të tjerat që mund të ndodhin në të ardhmen do ta humbin kuptimin nëse orët mësimore kompensohen.

“Çfarë vlere do të kishte kjo grevë ose greva të tjera në të ardhmen po të kompensoheshin orët e humbura?”.

“Institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë që ne jemi sindikatë që ka të drejtë t’i mbrojë anëtarët e vet. Ne jemi sindikatë që nuk bëjmë greva kur të na teket”.

“Nga muaji maj i vitit të kaluar bëmë çmos që të arrijmë që koeficientët që ishin tepër të ulët të ngriten. E bëmë tërë atë rrugëtim, bëmë protestë dhe nuk bëri zë askush – nuk pati asnjë hap tutje”.

“E bëmë grevën njëorëshe alarmuese më 28 dhjetor duke i lajmëruar me kohë institucionet që po vjen 14 janari dhe që ne do ta kthejmë në grevë”.

Ai ka thënë se nuk ka asgjë personale me Ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqin.

“Jam i bindur se as ministri nuk ka asgjë personalisht me mua dhe as unë ndaj ministrit, por jemi gjetur në pozitat çfarë edhe jemi. Asnjë lëvizje në SBASHK nuk e bëj nëse nuk vendosin organet kompetente, si Këshilli Drejtues i SBASHK-ut”.

Por, cili është kushti që duhet të plotësohet që SBASHK-u të bindet për zbatimin e vendimit të Ministrisë së Arsimit për kompensimin e orëve të humbura në grevë?

“Kryetarët e niveleve komunale e kanë thënë prerazi dhe e kanë ofruar një mundësi. Nëse mblidhen nënshkrimet dhe Parlamenti debaton dhe në fund përmirëson koeficientët e mësimdhënësve të ciklit 1-5 dhe të një pjesë të psikologëve dhe pedagogëve, atëherë ne për hir të kësaj do ta zgjasim vitin shkollor për një javë”.

“Nuk kemi nevojë të bëjmë shantazh, por është dashur të gjejmë një mënyrë që t’i nxisim mësimdhënësit në Kosovë të pranojnë që së paku një javë të zëvendësohet”.

“Po të kishin dashur mësimdhënësit t’i kompensojnë orët, cila është forca ime dhe me çfarë mekanizmi do t’i ndaloja të mos shkojnë? Është kërkesë e tyre dhe institucionet e kanë ditur këtë”.

Ai ka treguar pse marrëveshja që i dha fund grevës në arsim është nënshkruar me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe jo me Ministrin e Arsimit.

“Nuk bëj unë politikë në SBASHK. A kemi mundur ne ta diktojmë se kush do të jetë në kabinetin e këtyre ‘të mëdhenjve’?”.

“Kemi shkuar sepse po mbyllej java e tretë e grevës dhe të shtunën pritej të votohej Ligji për Pagat në Parlament. Po të mos arrinim edhe atë marrëveshje ne do të hynim në Ligjin e Pagave me atë koeficient 0.3% të cilin arritëm ta bënim 0.30%”.

“Do të ndiheshim të nderuar po të ishte aty Ministri i Arsimit sepse është ministër i yni, por nuk i caktojmë njerëzit në kabinetet e ‘të mëdhenjve’”.

Të ngjashme