Jashari: Kosova A dhe B po i shkaktojnë ndotje shqetësuese lumit Sitnica

Prishtinë | 29 Maj 2017 | 18:49 | Nga

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari me bashkëpunëtorë, i shoqëruar edhe nga një ekspert i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, si dhe zyrtarë të Komunës së Obiliqit, vizituan fshatin Dardhishtë të Komunës së Obiliqit, respektivisht pikat e derdhjeve hidraulike nga Termocentralet Kosova A dhe Kosova B në lumin Sitnica, në po këtë fshat.

Vizita u bë me qëllim që të shihet nga afër shkarkimi ujërave me ndotje industriale, të bëhet matja e nivelit të pH-së në këto dy pika dhe të bëhet marrja e mostrave për të analizuar më detajisht nivelin e ndotjes.

“Nga matjet e kryera në dy pikat e derdhjeve të ujërave të ndotura, u pa se në pikën e derdhjes hidraulike të Termocentralit Kosova A, vlera e pH-së shënonte 12.78, përderisa në grykëderdhjen hidraulike të Termocentralit B, pH-së arrinte në 12.98”, thuhet në njoftimin për media të Avokatit të Popullit.

Shmangiet nga standardet e pranueshme të derdhjeve industriale, sipas AP-së, dëmtojnë cilësitë natyrore të ujit, në kuptimin cilësor dhe sasior dhe shkaktojnë pasoja afatgjata për njeriun dhe ekosistemin në përgjithësi, prandaj Avokati i Popullit ju bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të veprojnë në mënyrë urgjente në pajtim me ligjet përkatëse për mbrojtjen e ambientit dhe standardet e pranueshme për cilësinë së ujit, tokës dhe ajrit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme