Jashari: Problem mbetet financimi i strehimoreve për gratë e dhunuara në familje

Prishtinë | 05 Kor 2022 | 15:00 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Eksperti i angazhuar nga UN Women, Hilmi Jashari, ka prezantuar Draftligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Baza Gjinore. Prezantimin e bëri para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, raporton Ekonomia Online.

Aty, Jashari tha se problem goxha i madh mbetet financimi i strehimoreve për gratë e dhunuara në familje dhe programi për paraqitjen e rasteve.

Jashari ka thënë se janë bërë edhe qartësimet sa i përket këtij Ligji, i cili kërkohet të jetë në pajtueshmëri me Konventën e Stambollit.

“Nga takimi i herës të kaluar, mendoj qe është në kuadër të termave të zotimit që e bëra. Zotimi i parë ka qenë që të përfshihet sugjerimi i komenteve, dhe të bëhet fuzionimi i komenteve. Ndërsa sa i përket vlerësimit që e patëm herën e kaluar, që ka pas përzierje të dispozitave civile dhe penale, ka qenë sfiduese”.

“Besoj që tashmë është bërë një qartësim më i mirë me pak fjalë meqenëse ligji duhet të jetë në pajtueshmëri me konventën e Stambollit, janë dy fenomene dhe koncepte të ndryshme”, tha Jashari.

“Në pjesën e dytë te përkufizimet e ligjit unë kam hequr disa nene të panevojshme. Dhuna si dhunë tashmë trajtohet si vepër penale. I kam fut përkufizimet që janë në përshtatshmëri me konventën e Stambollit. Pjesa tjetër e dispozitave ka pasur një mishmash të roleve të institucioneve, por nuk kanë qenë në bazën e hierarkisë. Tash janë të organizuar sipas peshës, fillon prej qeverisë zbret nga ministritë e deri te niveli lokal. Pjesa dërmuese e të gjitha organizatave që kanë dërgu, janë marrë parasysh. Janë koorporuar ato, janë fuzionuar ato qe unë kam konsideruar të domosdoshme”, vazhdoi tutje ai.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Marigona Geci, kërkoi sqarim për thirrjet telefonike emergjente.

“Te neni 23 dhe 24 ka qenë të linja telefonike emergjente, cili është numri që është vlerësuar nga ana juaj? Sepse dikush ka thënë qe duhet të thirret policia, pastaj dikush tjetër ka thënë diçka tjetër”.

E për linjën telefonike, Jashari tha se e njëjta është përcaktuar të jetë e qasshme 24 orë dhe se ka rol informues më tepër.

“Ideja e kësaj linje është që të funksionojë 24 orë 7 ditë të javës dhe të jetë më tepër informuese. Keni parasysh pjesët më të mëdha të vendit tonë janë rurale, nuk e dinë punën e institucioneve, dhe gratë as nuk e kanë idenë për ligjet, apo përkrahja nga shteti”.

Kur foli për strehimoret, Jashari tha se është një ndër pjesët ku ka parë më së shumti defekte.

“Ndërsa lidhur me strehimoret, nuk është bërë ndonjë vlerësim. Financimi është problemi i parë, pastaj te programi, edhe aty kam pa defekte”, tha Jashari.

Të ngjashme