Java e Evropës mbyllet me kuiz në Mitrovicën e Veriut, më 18 maj shpaloset murali “i gjelbër”

Mitrovicë e Veriut | 13 Maj 2022 | 13:44 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shtëpia e Evropës në Kosovë, e mbështetur nga Zyra e BE-së, ka mbajtur aktivitete të shumta të gjelbra dhe digjitale, për të shënuar Ditën e Evropës 2022.

Art rruge, shëtitje me biçikleta, punëtori, diskutime me të rinjtë, ekspozita e ngjarje të tjera, janë organizuar përgjatë gjithë javës, në Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Dragash, për të vazhduar sot në Mitrovicës e Veriut.

Në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicën e Veriut, sot është mbajtur ngjarja “E ardhmja e gjelbër përmes teknologjisë AR”.

Të rinjtë kanë mundur të përjetojnë virtualisht burimet kryesore të energjisë së ripërtërishme te paraqitura përmes animacioneve të ndryshme dhe teknologjisë AR (Augmented Reality – Realiteti i shtuar).

Me këtë rast, Alban Kasumi nga “Lapsi 360” demonstroi para të rinjve teknologjinë AR.

“Skenojmë kodin dhe na paraqitet një objekt 3D. Përdoret në hapësira publike me mbush telefon edhe me shfrytëzua rrymën për laptop. Përveç kësaj kjo teknologji na mundëson me pa një ambient që na rrethon”.

“Teknologjia AR e mundëson paraqitjen e një modeli të caktuar me një hapësire përmes telefonit mu pa në pamje 3D. Nëpërmes kamerës skenojmë kodin dhe na jep një link prej ku mund të shohim objekt në 3D. Pjesa tjetër është plasimi i objektit në të cilin na rrethon dhe me pa një objekt në 3D”, tregoi Kasumi.

Gjithashtu në ambientet e Shtëpisë së Evropës është organizuar një Kuiz diturie me temë “E ardhmja e gjelbër dhe digjitale”

Vedat Shehu nga Shtëpia e Evropës në Kosovë tregoi se pjesëmarrësit të ndarë në ekipe kanë testuar njohuritë e tyre për energjinë e gjelbër dhe teknologjinë, si dhe do të garojnë për tri çmimet kryesore.

“Sot këtu është dita e tretë e kuizit për t’i testuar të rinjtë, njohuritë e tyre për BE-në, për agjendën e gjelbër dhe transformim digjital. Dy ditë e para janë mbajtur me 9 maj dhe 11 maj. Sot është finalja, ku do të përzgjidhen tri ekipe që do të fitojnë çmime të ndryshme”.

Shehu foli për Ekonomia Online rreth aktiviteteve të cilat kanë nisur më 9 maj – në Ditën e Evropës.

“Sot jemi në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicën e Veriut ku edhe po mbajmë disa prej aktivitete përmbyllëse të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Evropës që ka filluar me datën 9 maj. Ka pasur një mori aktivitetesh, duke përfshirë mbylljen e rrugës për mobilitetin në Prishtinë”.

“Kemi pasur aktivitete me prodhimin e disa produkteve, disa ‘workshope’ në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë. Kemi pasur vizita nëpër disa komuna, Dragash, Prizren e Ferizaj, ku ekipi i BE-së është takuar me të rinjtë për të diskutuar për agjendën e e gjelbër, transformimin digjital dhe fuqizimin e të rinjve”.

“Kemi treguar se si prodhohet energjia e gjelbër, çfarë janë burimet e ripërtërishme dhe përfitimet nga këto burime. Produktet digjitale mund të gjenden në Europe House dhe në faqen e BE-së”.

Përmbyllja e aktiviteteve për Javën e Evropës, zyrtarisht do të bëhet më 18 maj, kur do të shpaloset murali 100 metra i gjatë, “Te rrethi” në Prishtinë.

“Me datën 18 maj do të prezantojmë muralin me disa artistë ndërkombëtarë të udhëhequr nga një artist belg, një mural me temat e agjendës së gjelbër dhe transformimit digjital. Ky mural gjendet ‘Te Rrethi’ dhe është 100 metra që është duke u krijuar dhe po shpresoj që më 18 maj ta kemi prezantimin zyrtar”, ka thënë Shehu.

Të ngjashme