Jeta në karrocë i vështirësohet, kur s’mund të shkojë as në polici e spital pa u ndihmuar

Prishtinë | 22 Dhj 2019 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Dashuria dhe pasioni për motoçikletat bënë që Kadri Beqiri tash e 12 vjet të mbetet i palëvizshëm si shkak i një aksidenti. Këtë gjë po ia bëjnë edhe më të vështirë vendet joadekuate për të dhe për të gjithë personat e tjerë me nevoja të veçanta. Si pasojë e këtyre problemeve, Kadriu asnjëherë nuk mund të dalë vetëm.

Pothuajse të gjitha institucionet kanë pjerrësira për kalimin e personave me nevoja të veçanta, mirëpo askush nuk merr përgjegjësi për atë se sa janë të përshtatshme ato.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, pjesa e pjerrët te hyrja ekziston, por se sa është e përshtatshme, më së miri na tregon Kadriu, i cili ka hasur çdo herë në probleme për të hyrë në objektin e këtij institucioni.

“Pjerrësira është aq e papërshtatshme, saqë vështirë për të hyrë e kanë njerëzit në këmbë, e lëre më ne me karrocë”, thotë Kadriu, i cili asnjëherë nuk mund të hyjë brenda vetëm, por edhe me ndihmën e gruas së tij e ka mjaft të vështirë.

Përpos papërshtatshmërisë së pjerrësirave, diku ato nuk janë fare. Në stacionin policor në Podujevë, përpos shkallëve, nuk ka asnjë mënyrë tjetër që të futesh në këtë ndërtesë.

“Para disa vitesh, përmes shoqatës HandiKOS, e kemi bërë kërkesën për pjerrësirë në stacionin policor, por si duket askush nuk e mori parasysh kërkesën tonë”, thotë Kadriu, i cili me këto kushte e ka të pamundur t’i qaset objektit të stacionit policor në Podujevë.

Askush nga policia s’ka dhënë përgjigje pse objektet e tyre s’kanë pjerrësira të veçanta për personat me nevoja të veçanta. Në Podujevë kanë thënë se duhet të pyetet Stacioni Qendror i Policisë, ndërsa në Prishtinë s’kanë kthyer përgjigje, pavarësisht faktit se në adresë të tyre kanë shkuar pyetjet.

Sipas Udhëzimit Administrativ nr. 33/2007 për kushtet teknike të objekteve ndërtimore për qasjen e personave me aftësi të kufizuara, ministria është kompetente për dhënien e lejes së ndërtimit për objekte ndërtimore.

Ligji për ndërtime ose për persona me aftësi të kufizuara përcakton se si duhet të jenë objektet publike në pjesën hyrëse për këtë komunitet, në mënyrë që ata të kenë mundësi të qasen. Hapësira hyrëse në ndërtesë është hyrja deri te e cila arrihet drejtpërdrejt nga sipërfaqja publike e këmbësoreve ose me ndihmën e elementeve qasëse në nivele me lartësi të ndryshme.

Hapësira hyrëse duhet t’i plotësoj këto kushte, gjegjësisht të ketë:
– Derë njëkrahëshe me gjerësi prej së paku 110/210 centimetrave ose derë dykrahëshe me gjerësi 2×90/210 cm;
– Dera e cila hapet nga jashtë ose rrëshqitëse;
– Dorëzën për qasjen; Prag të derës me lartësi jo më të lartë se 2 cm;
– Element për pastrimin e këpucëve, i vendosur në nivel të dyshemesë;
– Hapësirë drite më së paku 90 cm në rastet kur dera kryesore hyrëse është rrethore lëvizëse ose rrëshqitëse;
– Në rastet kur dera kryesore hyrëse rrëshqitëse ka hapësirë drite më së paku 90/210 cm, para derës hyrëse sigurohet hapësira me madhësi prej së paku 150×150 cm;

Edhe për pensionin e personave me nevoja të veçanta, Beqiri tha që nuk është i kënaqur, sepse i merr vetëm 150 euro në muaj.

“I kam tri vjet që me gjyq po mundohem të dal në grup të parë për pension, mirëpo sipas komisionit mjekësor, nuk kam dokumente të mjaftueshme. Nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë më takojnë 375 euro”, tha Kadriu.

Sipas statistikave të mirëqenies sociale në Kosovë për vitin 2017, janë gjithsej 19.481 persona që marrin pensione, ndërsa për vitin 2018 janë 17.998.

Konkretisht, në Podujevë për vitin 2017 janë 1,202 , e në vitin 2018 numri i personave me nevoja të veçanta që marrin pensione është zvogëluar në 931.Beqiri shtoi që është pjesë e shoqatës për persona me nevoja të veçanta, HandiKOS, në Podujevë, në të cilën i paguan 6 euro në vit për bartjen e librezës dhe pjesëmarrjen në shoqatë. Por ajo që e shqetësonte ishte se në disa raste libreza nuk njihet dhe ai ishte i detyruar të paguante e kjo gjë më së shumti ndodh në QKUK.

Idriz Hoxha, drejtor i shoqatës “HandiKOS” në Podujevë tha që librezat ua dhurojnë për të kryer disa shërbime, si në mjekësi, shkollim, për nxjerrjen e dokumentacioneve personale dhe zhdoganimin e automjeteve.

“Në shoqatë janë të regjistruar 867 persona me aftësi të ndryshme. Programi i kësaj shoqate ofron shërbime për fëmijë, si fizioterapi, psikoterapi, lobim, avokim”, tha drejtori i shoqatës.

Hoxha gjithashtu tregoi se HandiKOS-i përkrahet nga drejtoria e shëndetësisë me një projekt, ndërsa ka edhe përkrahje të vogla nga donatorë të ndryshëm.

Pasioni për motoçikleta nuk është i vetmi për 40-vjeçarin nga Podujeva. Ai që nga mosha 12-vjeçare merret me peshkim dhe e formoi grupin e peshkimit “Llapi”, në të cilin pjesëmarrës janë tre persona, të cilët me të njëjtin pasion u takuan në “HandiKOS”.

Kadriu ka fituar shumë trofe në peshkim.
Dashuria për peshkimin ishte që nga fëmijëria, thotë ai, mirëpo medaljen e parë e fitoi pas aksidentit me motoçikletë në vitin 2012, ndërsa së fundi, në muajin maj të këtij viti, ai e fitoi një trofe. Nga pesë gara që mbahen për çdo vit, Kadriu gjithsej i ka 7 mirënjohje, 18 medalje dhe 8 trofe.

E koha më e preferuar e peshkimit për Kadriun janë orët e vona të natës. Në peshkim, atë e shoqërojnë gruaja e tij dhe shokët pjesëmarrës të grupit. Kadriu thotë që e ka pranuar fatin e tij, por edhe më e lehtë do të ishte për të, nëse shteti do ishte më përgjegjës ndaj personave me nevoja të veçanta./Gazeta Express

*Sofie Rushiti është studente e vitit të parë në Degën e Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë.

Të ngjashme