Jeta online – normaliteti i ri

Prishtinë | 12 Pri 2020 | 08:04 | Nga Ekonomia Online

Është thënë përherë se nuk mund të zëvendësohet kontakti sy më sy në të njëjtin mjedis ndërmjet miqve pavarësisht se teknologjia nisi ta bënte të veten. Janë kritikuar ata që kanë mijëra “miq” në rrjete sociale e me të cilët kurrë nuk kanë bërë asnjë shtrëngim duarsh.

Ka pasur shumë shqetësime për ndikimin negativ që mund të kenë mediat sociale. Jemi paralajmëruar se qëndrimi tërëditor para ekranit mund të dëmtojë shëndetin. Por kriza botërore e shkaktuar nga virusi korona ka nxjerrë anën më të mirë të mjeteve teknologjike në jetën e njerëzve. Është provuar gjatë javëve të fundit se ato mund të kthehen në mjete skajshmërisht të dobishme në të gjitha fushat e jetës, shkruan KOHA.

Pikërisht kur pothuajse gjithçka është paralizuar vullnetshëm si pjesë e masave për frenimin e përhapjes së virusit që po shkakton sëmundjen Covid-19. Me këtë ndryshim radikal ka ndryshuar edhe qasja ndaj teknologjisë, paralajmërojnë ekspertët vendorë e të huaj. Njëherësh kërkojnë që teknologjia të përdoret mençurisht.

OKB-ja ka vlerësuar ditë më parë se bota po përballet me sfidën më të madhe prej Luftës së Dytë Botërore. Dhe, prej atëherë, kurrë nuk ka qenë më e izoluar – fizikisht – njëherësh njerëzimi kurrë nuk ka qenë më i lidhur – virtualisht. Shumëkush po kryen punën nga shtëpia, por ka shumë fusha të ekonomisë ku puna nuk mund të kryhet pa praninë fizike të punëtorit.

Të ngjashme