Jetonin në Australi e ShBA dhe paguheshin pa punuar, RTK i përjashton nga puna

Prishtinë | 30 Pri 2022 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Ka disa muaj që jetonte në SHBA, por një i punësuar në RTK, M. Sh. (Emër i njohur për redaksinë) merrte pagë në RTK. Ai i kishte shfrytëzuar të gjitha opsionet e pushimit, por nuk kishte njoftuar zyrtarisht RTK-në që kishte shkuar jashtë vendit.

Burime të Gazetës Online Reporteri.net brenda RTK-së konfirmojnë se ky punëtor ka kohë që jeton në ShBA, madje shumë vetave u kishte thënë se e ka ‘ndërprerë kontratën’.

Ai dhe një i punësuar tjetër, i cili që disa muaj po jeton në Australi janë përjashtuar nga puna këtë javë.

Ky i fundit siç merret nga burime të Gazetës Online Reporteri.net brenda RTK-së, që nga fillimi i këtij viti nuk është paraqitur në vendin e punës.

U.d drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka thënë shkurt për Gazetën Online Reporteri.net se “janë disa raste në procedurë disiplinore, por aktualisht nuk mund të jap emra apo shifra”.

Në raportimin e fundit të Bordit dhe Menaxhmentit të RTK-së në komisionin parlamentar për buxhet dhe transfere është konfirmuar shkëputja e gjashtë kontratave të rregullta, pasi tashmë ish punëtorët kishin shkelur kontratat e punës, e disa prej tyre nuk ishin paraqitur fare në punë.

Pos tyre, që nga 1 prilli, RTK nuk i ka vazhduar mbi 150 kontrata për shërbime.

Të ngjashme