Joseph: Integrimi ndërkombëtar i Kosovës, i mirë edhe për Serbinë

Prishtinë | 28 Gus 2017 | 18:06 | Nga

Sa më shpejt që të integrohet plotësisht Kosova në bashkësinë ndërkombëtare, kjo do të jetë më mirë për shqiptarët dhe për serbët, por edhe për rajonin, vlerëson Edward Joseph, i dërguari i dikurshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i Kombeve të Bashkuara në disa misione në Ballkan. Aktualisht, Joseph është profesor në Universitetin “Johns Hopkins”.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, duke folur për ngecjet në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për shkak të qëndrimeve të kundërt që kanë dy vendet për çështje qenësore, Joseph thotë se ky qorrsokak, në të cilin janë futur bisedimet, nuk është i mirë.

“Fillimisht, duhet të tejkalohet bllokada politike në Prishtinë. Gjithsesi që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të angazhohen, në mënyrë që të sigurohen kanale të hapura të komunikimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Tash për tash nuk ekziston rreziku nga rritja e tensioneve. Por, siç e dimë në Ballkan kjo asnjëherë nuk mund të përjashtohet, përfshirë edhe incidentet”, tha Joseph.

Një nga temat e diskutueshme mbetet çështja e pranimit të Kosovës në UNESCO, gjë që është thënë të jetë shkaktare e tensioneve të fundit ndërmjet Beogradit dhe Shkupit, marrë parasysh që autoritetet e Maqedonisë e kanë mbështetur nismën e Prishtinës para dy vjetësh.

Megjithatë, Joseph thotë se ende mbetet e pasigurt nëse çështja e pranimit të Kosovës në UNESCO, do të diskutohet këtë vit në mbledhjen e kësaj organizate.

“Nuk e di se a do të jetë kjo çështje në rendin e ditës në mbledhjen e UNESCO-s. Por, konsideroj që pranimi i mëtutjeshëm ndërkombëtar i Kosovës është i mirë për gjithë rajonin, përfshirë këtu edhe Serbinë. Pavarësia e Kosovës nuk mund të anulohet. Ajo ka qenë e pashmangshme, sepse nuk ka ekzistuar alternativë dhe është shtyrë panevojshëm. Realiteti është i tillë, dhe siç thash, nuk ekziston opsion tjetër dhe sa më parë që Kosova të integrohet plotësisht në bashkësinë ndërkombëtare, kjo do të jetë më mirë për shqiptarët, por edhe për serbët, si dhe për të gjithë rajonin. Është e kuptueshme që Beogradit nuk i pëlqen ideja për integrimin e plotë të Kosovës së pavarur në bashkësinë ndërkombëtare. Por, refuzimi i kësaj qasjeje nënkupton vazhdimin e jostabilitetit të tashëm. Realiteti nuk është gjithmonë i këndshëm, por pranimi i tij është gjithmonë më produktiv se sa refuzimi”, tha Joseph.

Ai ka folur edhe për propozimin që javë më parë e ka bërë ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, për demarkacionin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

“Nuk do të dëshiroja që të spekuloj se çka zoti Daçiq ka menduar me këtë dhe cilat në të vërtetë janë qëllimet e vërteta të tij. Realiteti në Kosovë, në Ballkan dhe në përgjithësi, është i vështirë. Por, është edhe realitet që shumica e popullatës serbe në Kosovë, jeton në pjesën jugore të lumit Ibër. Prandaj, çfarëdo ndarje, me qëllim që të ndahet veriu i Kosovës, menjëherë do t’i rrezikonte shumicën e serbëve që jetojnë në jug dhe të cilët në mënyrë aktive marrin pjesë në proceset politike në Kosovë”, theksoi Joseph.

Ai ka shtuar se të drejtat e serbëve, përfshirë edhe mbrojtjen e trashëgimisë së tyre, janë precizuar mjaft qartë në Planin e Ahhtisarit, mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, si dhe ka dalë edhe Kushtetuta e Kosovës. Siç ka thënë ai, institucionet e Kosovës janë të obliguara që të sigurojnë respektimin e atyre të drejtave.

Joseph ka vlerësuar se është e rrezikshme kur politikanët, sikurse Daçiqi, hedhin ide për demarkacion, sepse me këtë hapet çështja e pozitës së serbëve dhe trashëgimisë së tyre në anën jugore të lumit Ibër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme