Juristët: Ka elemente që duhet të rishikohen në dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Prishtinë | 15 Pri 2021 | 19:58 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti ka miratuar në mbledhjen e fundit koncept dokumentin për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. Nëpërmjet këtij dokumenti parashihet luftimi i korrupsionit duke përcaktuar saktë arsyet që dërgojnë deri tek konfiskimi i pasurisë.

Pas miratimit të koncept-dokumentit, Kryeministri Kurti tha se po hapet rruga për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile, e cila mund të iniciohet edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues.

Ndaj këtij koncept-dokumenti pati shumë reagime nga partitë opozitare përfshirë ish-kryeministri Haradinaj, deputetët, Xhavit Haliti e Bekë Berisha dhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.

“Unë mendoj që askush nuk duhet të frikësohet nga ligjet sikurse që askush nuk mund të nxjerrë ligje policore që e kthehnë prapa. Edhe 1 mijë deputet mi pas nuk mund të ndërtojnë shtet policor”, tha Limaj në Prime Time të Kanal 10.

Ndërkaq njohësi i së drejtës, Bardhyl Hasanpapj, thotë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se koncept dokumenti është një iniciativë ligjore e mirë. Por se sipas tij janë disa elemente që duhet rishikuar në këtë koncept-dokument.

Hasanpapaj shtoi se këto lloj ligjesh inkurajohen nga një numër instrumentesh ndërkombëtare si mundësi të luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Thotë se koncept-dokumenti i miratuar duhet të kthehet në një ligj që garanton të drejtat e njeriut.

“Nëse kjo iniciativë do të shndërrohet në një ligj të shkruar mirë profesionalisht dhe që ofron garancitë e nevojshme ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të njeriut, atëherë kjo do të ndihmonte plotësimin e kuadrit të duhur ligjor për Kosovën”, tha Hasanpapaj për Reporteri.net.

Se koncept dokumenti është nismë e mirë e thotë edhe profesori i së drejtës kushtetuese, Florent Muçaj.

Por, ai thotë se duhet të zbatojë standardet më të larta të respektimit të së drejtave të njeriut.

“Mund të them se bërja dhe më pas zbatimi i këtij ligji nënkupton edhe jetësimin e një dimensioni të rëndësishëm të vetingut, duke pasur parasysh që një shtyllë e vetingut është edhe justifikimi i pasurisë. Gjatë hartimit të këtij projekt ligji, besoj që grupet punuese profesionale do të kenë parasysh praktikat më të mira të përshtatshme si dhe do të zbatojnë standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare të respektimit të të drejtave të njeriut”, tha Muçaj për Reporteri.net.

Edhe sipas Hasanpapajt ka gjëra që duhet të rishikohen në këtë koncept-dokument.

“Gjërat që duhet të rishikohen gjatë hartimit të këtij ligji kanë të bëjnë me gamën e zbatimit të tij, pra a do zbatohet vetëm ndaj personave që kanë qenë të përfshirë në jetën publike (zyrtarë publik dhe persona të ekspozuar politikisht) apo edhe ndaj të gjithë qytetarëve dhe bizneseve. Kjo duhet të saktësohet gjatë procesit të hartimit të ligjit”, tha Hasanpapaj, shkruan Reporteri.net.

Në koncept dokumentin e miratuar nga Qeveria Kurti II parashihet mundësia e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme nëpërmjet vendimeve jopenale.

Kjo sipas Hasanpapajt është risia që do të sjell ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Ideja e konfiskimit të pasurisë së paligjshme edhe në një procedurë tjetër pa pasur paraprakisht një aktgjykim dënues penal është pikërisht kjo risi që pritet të sjellë ky ligj dhe besoj që do jetë një zhvillim pozitiv për Kosovën që në njërën anë do të mundësojë konfiskimin e pasurisë së paligjshme, por në anën tjetër do të jetë një incentive e fortë që të zbehi ekonominë jo-formale në Kosove, pra që të stimuloj ekonominë e duhur formale të tregut”, tha Hasanpapaj.

Pas miratimit të koncept dokumentit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se para e pasuria e keqpërdorur duhet të konfiskohet, sepse ajo u përket qytetarëve.

Me anë të këtij koncept dokumenti parashihet themelimi i një agjencie të re jo prokuroriale e cila do të jetë e specializuar në luftimin e kriminalitetit dhe konfiskimit të pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme.

Të ngjashme