Jusuf Azemi: Asgjë s’është bërë për sektorin privat

Prishtinë | 11 Dhj 2019 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, tha se është pro rritjes së pagave në sektorin publik por se kërkon që distanca me atë privat të zvogëlohet.

Ai shtoi se qeverisjet e deritanishme nuk kanë bërë thuajse asgjë për punëtorët e sektorit privat, njofton Klan Kosova.

“Si sindikatë mund të themi që jemi për atë ligj që është aprovuar dhe se duhet të implementohet. Pse ta pengojnë këtë ligj për hir të kërkesave që janë të arsyeshme? Ne gjithmonë i gëzohemi rritjes së pagave në sektorin publik, por megjithatë ky shtet ka krijuar një disbalancë tepër të madhe me punëtorët e sektorit publik dhe atij privat”.

“Përderisa në sektorin publik mesatarja me këtë rritje që do të bëhet do të jetë 600 euro, ndërsa në atë privat ajo nuk e kalon shifrën mbi 250 euro. Sa i përket asaj se sa është marrë qeveria me prioritet e sektorit privat duhet vetëm të shikosh punëtorët teknikë që punojnë në qeveri paguhen me 165 euro neto”.

Azemi në Info Magazine duke kritikuar qeverisjet e kaluara që nuk i kanë dhënë vëmendjen e duhur sektorit privat ai gjithashtu tha se nuk po ka sukses edhe për shkak se sindikatat nuk po arrijnë të kenë unitet dhe t’i shtyjnë çështjet përpara.

“Qeveria nuk e ka bërë as punën më të vogël për sektorin privat sepse ne nuk jemi në formën e organizmit siç janë ato të sektorit publik. Megjithatë aty ku po kemi organizim edhe ne po ju gëzohemi rezultateve”.

“Në të gjitha kompanitë që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve institucioneve shtetërore është një pikë përfundimtare që ne nuk do të punojmë nën pagën 350 euro.

“Por ne mund të themi se janë lënë anash punëtorët e sektorit privat për vetë faktin që edhe sot punëtorët paguhen me pagë 140 euro mbi moshën 35 vjeçare. Kjo bën me dije se nuk është marrë askush me këtë kategori”.

Azemi tha se kërkesa në treg po e bën pozicionin e sektorit privat dukshëm më të mirë duke thënë se po presin sinjale pozitive nga qeveria e re.

“Kam pasë dy takime me Albin Kurtin dhe tek krijimi i qeverisë së re shihet një sinjal pozitiv. Mendoj që njëherë e përgjithmonë duhet t’i jepet respekt edhe sektorit privat. Edhe pse besoj se këtë respekt do ta merr edhe dhunshëm sepse duhet ta dinë që Kosova është zbrazur nga punëtorët e kategorisë së parë”.

“Nga qeveria e re kërkojmë që ligjet që janë në fuqi për punëtorë-punëdhënës të zbatohen ato ligje dhe kjo nuk është e vështirë të bëhet”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme