Ka ndërruar jetë Bujar Gjurgjeala, i përbërjes që shpalli Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut

Prishtinë | 27 Nën 2018 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Mbrëmë, në Prizren, në moshën 72 vjeçare ka ndërruar jetë Bujar Gjurgjeala, ish-delegati i Kuvendit të Kosovës, i asaj përbërje që 28 vjet më parë shpalli Deklaratën Kushtetuese, që në histori tash më njihet si Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, me të cilën institucionalisht iu vunë themelet shtetit të pavarur të Kosovës.

Vdekja e tij ishte e papritur. Ai vdiq nga një atak kardiak.

Inxhenieri Bujar Gjurgjeala, bashkë me delegatët (kështu quheshin atëherë deputetët) e Kuvendit të Kosovës, 111 sish, manifestoi guximin njerëzor, intelektual e politik dhe në rrethana të një okupimi klasik nga regjimi i Beogradit, në ambientet para ndërtesës së Kuvendit institucionalisht shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, një akt që do të ndiqej pas disa muajsh, më 7 shtator të atij viti (1990), me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të njohur me emrin Kushtetuta e Kaçanikut.

Pas këtij akti historik, ai dhe delegatët e tjerë, të përndjekur nga regjimi i Beogradit, vazhduan aktivitetin jashtë Kosovës, në Slloveni e gjetkë, ndërsa Gjurgjeala një kohë qëndroi edhe në Çeki e Sllovaki, që të kthehej menjëherë pas çlirimit në vendlindjen e tij, Prizren.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër (28 nëntor), në varrezat e Prizrenit, në orën 12:00.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme