Ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare Masar Krasniqi

Prishtinë | 10 Gus 2019 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Më 7 gusht 2019 në qytetin Gold Coast (Queensland, Australi) ka ndërruar 
jetë në moshën 90-vjeçare veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, 
Masar Krasniqi. I lindur në tetor të vitit 1931 në Prishtinë, për shkak 
se ishte i përndjekur politikisht, ai është detyruar ta braktisë 
vendlindjen fare i ri, në moshën 21-vjeçare. Që nga viti 1950, kur është 
shtrënguar ta lërë atdheun e tij të shtrenjtë, Kosovën, deri në vitin 
2007 ai ka jetuar në Zelandë të Re, ndërkaq 12 vjetët e fundit të jetës 
së tij në Australi, ku edhe ka vdekur.

Ndonëse larg Atdheut, ai kurrë nuk ka reshtur së vepruari për çështjen 
kombëtare. Atdhe i tij nuk ka qenë vetëm Kosova, ku ai ka lindur. Atdhe 
ka qenë Shqipëria, Atdhe kanë qenë të gjitha trojet shqiptare për lirinë 
e të cilave ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij.

Angazhimi i tij për çështjen kombëtare është intensifikuar, sidomos në 
kohën kur Kosovës iu morën edhe ato pak të drejta që kishte. Ishte koha 
kur shqiptarët e Kosovës po largoheshin masivisht nga puna dhe po 
privoheshin nga çdo e drejtë dhe liri qytetare e kombëtare. Ishte fundi 
i viteve ‘80 dhe fillimi i viteve ’90. Lëvizjet për këto të drejta e 
liri të shqiptarëve në Kosovë kishin marrë hov dhe Masar Krasniqi ishte 
vënë tërësisht në shërbim të çëshjtes kombëtare.
Themelimi i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në janar 1989, nga 
ish-kongresisti Joseph J. DioGuardi, mik e bashkëpunëtor i afërt i 
Krasniqit dhe zgjedhja e këtij të fundit në kryesinë e saj, si 
përfaqësues i interesave të lobit amerikan për Shqipërinë, për Kosovën, 
për Maqedoninë dhe për trojet e tjera shqiptare, shënon kulmin e 
angazhimit të Masar Krasniqit për kauzën shqiptare.

Që nga vizita e dytë e Ibrahim Rugovës në SHBA, në prill 1990, Masar 
Krasniqi e ka shoqëruar Rugovën pothuaj në çdo takim me personalitete të 
shquara të Amerikës e të shteteve të ndryshme të Europës dhe pjesë e 
shumë prej këtyre takimeve, sidomos në SHBA, ka qenë edhe 
ish-kongresisti me prejardhje shqiptare, Joseph J. DioGuardi.

Masar Krasniqi ka takuar shumë personalitete të huaja e shqiptare dhe të 
gjitha këto takime kanë qenë në shërbim të çëshjes kombëtare. Nënën 
Terezë e ka takuar në Zelandë të Re në vitin 1970 dhe në Shqipëri në 
prill 1993 (gjatë vizitës në Shqipëri të Papa Gjon Palit II). Krasniqi 
ka takuar dhe Ibrahim Kelmendin, atdhetarin e veprimtarin preshevar si 
dhe atdhetarin e veprimtarin Luan Gashi, edhe ky mërgimtar si vetë 
Krasniqi. Pjetër Arbnorin e ka takuar disa herë, vetë ose bashkë me 
DioGuardin, në kohën kur ai ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë 
(1992-1997). Kongresistin republikan, Benjamin Gilman, mikun e madh të 
shqiptarëve e të Kosovës, i cili më 1992, bashkë me Tom Lantosh kishte 
bashkësponsorizuar Rezolutën e paraqitur në Kongres nga LQSHA-ja, e cila 
bënte thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e ka takuar 4-5 herë.

Të ngjashme