Kadaj-Bujupi i bën thirrje shtetit t’iu sigurojë bursë të përhershme fëmijëve jetimë që humbën nënën nga Covid-19

Prishtinë | 17 Pri 2020 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, përmes një shkrimi ka treguar se sot ka vizituar fëmijët jetimë të gruas që humbi jetën nga Covid-19.

Kadaj-Bujupi tha se këta dy fëmijë jetojnë krejtësisht vetëm pas vdekjes së nënës së tyre, derisa babai i tyre kishte vdekur vite më parë.

Ajo u bëri thirrje institucioneve të vendit që këtyre fëmijëve t’u sigurohet bursë e përhershme, dhe atë menjëherë.

Përveç institucioneve, deputetja u bëri thirrje edhe njerëzve të vullnetit të mirë që t’u ofrojnë ndihmë këtyre fëmijëve.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të deputetes:

Sot vizitova Erblinin dhe Erblinën.

Fatkeqësisht ditë më parë nëna e tyre humbi jetën nga virusi Covid-19. Babai, ish-luftëtar, ka ndërruar jetë vite më parë, ndërsa sot këta dy fëmijë jetojnë krejtësisht të vetëm. Unë i thërras së pari institucionet që të sigurojnë bursë të përhershme dhe atë mënjeherë. Gjithashtu thërras njerëzit e vullnetit të mirë që të lajmërohen dhe të ofrojnë ndihmën e tyre.

Është kohë e vështirë, prandaj mund të ia dalim vetëm duke ngritur njëri-tjetrin lartë. Le të tregojmë kujdes dhe solidaritet tani kur duhet më së shumti.

Së bashku t’i tregojmë Erblinit dhe Erblinës se nuk janë të vetëm në këtë betejë.

Të ngjashme