Kafeteritë po bëhen gati për të nisur punën, pas dy muajsh izolim

Prishtinë | 17 Maj 2020 | 13:48 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Më 18 maj 2020, do të fillojë faza e dytë e lirimit të masave, të cilat ishin vënë nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Nga nesër parashihet edhe hapja e sektorit të gastronomisë, për shërbimet “merr me vete” (take away), raporton Ekonomia Online. Pronarët e disa kafeterive e restoranteve sot po përgatiteshin për rihapje pas dy muajsh izolimi.

Qytetarët nga nesër mund të marrin me vete porositë, pasi ende nuk lejohet qëndrimi brenda objekteve, kjo si shkak i parandalimit të përhapjes së Covid-19.

Sot, po ashtu është parë një numër i madh i njerëzve të cilët kanë dalë në sheshet e Prishtinës. Madje disa prej tyre kishin zgjedhur sheshet për të ngarë biçikletat.

Edhe pse rastet e prekura me Coronavirus po shtohen në ditët e fundit nga nesër do të lejohet dalja dy herë në ditë nga dy orë, sipas shifrës së parafundit në numrin personal të letërnjoftimit.

Përndryshe, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se nëse nuk respektohen këto masa do t’i rikthejnë masat rigoroze sepse rrezikohet rikthimi i valës se pandemisë së virusit Corona.

Në Kosovë janë testuar gjithsej 11.585 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 978 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 713 raste.

Këto janë llojet e bizneseve që do të rihapen nesër:

1. Floktarët dhe sallonet e ondulimit

2. Stomatologët dhe fizioterapeutët

3. Tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër

4. Gastronomia (merre-me-vete, take away)

5. Transporti hekurudhor

6. Transporti urban dhe ndër-urban (me leje të veçanta)

7. Qendrat e thirrjeve telefonike (me lista të stafit esencial), si dhe

8. Hapja e galerive dhe muzeve.

Të ngjashme