Kalkulatori i taksave gjyqësore dhe ai i gjobave do të jetë online

Prishtinë | 08 Kor 2020 | 11:41 | Nga Ekonomia Online

Duke filluar nga sot, kalkulatori i taksave gjyqësore dhe ai i gjobave penale do të jenë online në ueb faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), përkatësisht në faqet e gjykatave.

Sipas njoftimit për media kalkulatorët inovative dhe me përdorim të lehtë, u japin qytetarëve të Kosovës mundësinë që nga rehatia e shtëpisë, t’i vlerësojnë kostot e taksave gjyqësore dhe të gjobave penale.

“Me mbështetjen e USAID-it, përmes Programit për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë, Zyrës së Departamentit të Drejtësisë të SHBA për Zhvillim Prokurorial të Jashtëm (OPDAT) dhe Zyrës për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), këto përpjekje e bëjnë gjyqësorin e Kosovës më të qasshëm për qytetarët e vet.

Kalkulatori i taksës gjyqësore, i zhvilluar nga USAID-i u ndihmon qytetarëve që t’i parashikojnë tarifat për lëndët civile me vetëm disa klikime, duke e eliminuar nevojën për t’u mbështetur tek avokati për të përcaktuar shpenzimet”, thuhet në njoftimin e bërë nga Këshilli Gjyqësor të Kosovës.

Më tej, në njoftim thuhet se kalkulatori i gjobave penale i sponsoruar nga INL dhe OPDAT shërben edhe si mjet ndihmës për të përcaktuar gjobat penale dhe u lejon qytetarëve të kuptojnë metodologjinë që përdorin gjyqtarët për shqiptimin e tyre.

“Kjo bazohet në Udhëzuesin e Gjykatës Supreme, të miratuar së fundmi dhe në dispozitat e Kodit Penal. Lansimi i kalkulatorëve është pjesë e një varg veçorish në uebfaqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës të zhvilluara nga Programi i USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë, për të rritur transparencën gjyqësore dhe qasjen e qytetarëve në drejtësi.

Veçoritë e tjera të uebfaqes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës përfshijnë databazën e aktgjykimeve të gjykatave, mundësinë për të paraqitur ankesa disiplinore kundër gjyqtarëve, dhe pasqyrën e performancës së gjyqësorit”, vijon njoftimi.

Tutje në njoftim thuhet se “programi i USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë është një aktivitet pesë-vjeçar për sundimin e ligjit që përqendrohet në promovimin e një sistemi gjyqësor që respekton standardet e larta të pavarësisë, paanshmërisë, integritetit, llogaridhënies dhe transparencës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme