Kamenica ndan rreth 25 mijë euro për të prekurit me Covid-19

Prishtinë | 10 Dhj 2020 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Secili qytetar i Komunës së Kamenicës që është infektuar me koronavirus do të përfitojë nga 50 euro dhe mjetet ndahen nga buxheti komunal.

Afati i aplikimit për të përfituar këtë ndihmë është deri me 15 dhjetor. Aplikimi bëhet në formën online në adresën elektronike të komunës [email protected].

Drejtoresha e shëndetësisë në këtë komunë, Suna Zajmi deklaron se paratë do t’u ndahen atyre personave që janë të prekur me COVID-19 e të cilët figurojnë në listat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Thirrja është bërë dhe kanë kohë deri me datën 15 dhjetor me apliku. Rreth 500 persona do të përfitojnë që është vërtetuar që kanë virusin. Kanë filluar që të aplikojnë. Ne mendojmë që pas përfundimit të këtij viti në janar të vazhdojmë edhe me pjesën e dytë pasi të aprovohet buxheti në janar të përfitojnë potencialisht nëse ka të infektuar të tjerë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq këshilltari komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Besnik Rudhani deklaron se mjetet buxhetore janë ndarë me një vendim të Kuvendit Komunal. “Është vendim i Kuvendit Komunal që të përfitojnë personat të cilët janë të prekur me virusin COVID-19. Këto mjete janë ndarë me ato kapacitete që ka komuna. Sepse dihet që buxheti i komunës së Kamenicës nuk është i madh. Është një shumë simbolike por që është një përpjekje për të ndihmuar qytetarët” ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme