Kandidatja shqiptare për Kongres, Suzana Shkreli flet për Donald Trump

Prishtinë | 16 Tet 2016 | 14:46 | Nga

13 mijë e 400 vetë kanë kontribuar mesatarisht nga 30 dollarë për fushatën e shqiptaro-amerikanes
Kandidatja për në Kongresin Amerikan Suzanna Shkreli ka mbledhur 411,000 dollarë në tremujorin e tretë të vitit, që është një arritje e jashtëzakonshme për dy arsye.

E para, sepse Suzanna është një kandidate e re, pa përvojë në politikë, e futur me vonesë, në një garë praktikisht të pafitueshme. Dhe e dyta, sepse kjo shumë nuk është rezultat i një tufe pasanikësh që mbushin xhepin e politikanit të preferuar, por një det dashurie i mbledhur pikë pikë nga trembëdhjetëmijë e katërqind vetë, që kanë dhuruar mesatarisht nga 30 dollarë për të realizuar ëndrrën e vazjës 29-vjeçare për të përfaqësuar Distriktin e 8, në Washington.

“Jam e nderuar nga mbështetja e gjerë popullore që ka marrë fushata jonë, që na ka mundësuar mjetet e nevojshme për të përçuar mesazhin tonë se luftën e ashpër, në emër të familjeve të shtresës së mesme në Michigan do ta çojmë në Washington”, tha kandidatja demokrate, në një deklaratë të lëshuar pak më parë.

“Dikstriktit të 8, në Michigan, i ka ardhur në majë të hundës me historinë e vendosjes së politikave të partisë mbi interesat e fmiljeve të shtresës së mesme nga Mike Bishop dhe me mbështetjen e vazhduar të tij për Donald Trump edhe pas mburrjeve të tij për sulmet seksuale ndaj grave, denigrimit të një heroi lufte, talljes së një reporteri me aftësi të kufizuara dhe fyerjes së familjes së një ushtari dëshmor amerikan të nderuar me Yllin e Artë”, vijoi më tej Suzanna Shkreli. “Si prokurore, unë luftoj çdo ditë që të mbroj gratë dhe fëmijët dhe përballem me agresorët. Në Kongres, nuk do të pyes për asnjë nga të dy partitë në luftën për një agjendë që i çon përpara familjet e shtresës së mesme në Michigan”.

Nuk është hera e parë, që Shkreli premton se nuk do të ndjekë thjesht vijën e partisë në Kongres por do të mbrojë në radhë të parë, banorët e zonës që do të përfaqësojë, duke mos lejuar që interesat e tyre të bëhen pre e lojërave partiake.

Nuk është çudi që përveç mbështetjes së demokratëve simpatizantë, e bashkatdhetarëve të komunitetit, njerëzit me të ardhura modeste që kanë bashkuar forcat e tyre në këtë betejë, të jenë frymëzuar nga ky qendrim guximtar i kandidates së re. Një dukuri e tillë, është shfaqur sidomos gjatë kandidimit të Bernie Sanders në garën brenda Partisë Demokrate, ku mesatarja e dhurimeve për fushatën ishte 27 dollarë, një shenjë e mbështetjes nga populli përkundër asaj të interesave të atyre që duan të mbajnë politikanët në patronazh.

Sanders është bashkuar pas Konventës me fushatën e Hillary Clinton, e cila duket se mund të fitojë në Distriktin 8, ku kandidon Shkreli. Në 2012, ky district votoi 51%-48% për republikanin Mitt Romney./Illyria

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme