Kapacitetet e kogjenerimit shfrytëzohen rreth 50%, ulet ndotja e ajrit

Prishtinë | 13 Dhj 2018 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Projekti i kogjenerimit për ngrohje të qytetit me avull nga Termocentrali “Kosova B” momentalisht nga Termokosi është duke u shfrytëzuar me vetëm 50% të kapaciteteve që ofron KEK-u, kjo për arsye se është duke u bërë zgjerimi i rrjetit.

Megjithatë, kogjenerimi po konsiderohet si një projekt ekonomik dhe mjaft i dobishëm për qytetarët. Në këtë drejtim zyrtarë nga KEK-u, inkurajojnë Termokosin dhe të gjitha institucionet tjera relevante që zgjerimin e rrjetit ta vënë në prioritet dhe sa më pare të shfrytëzohet i gjithë potenciali që ofron kjo korporatë, njoftohet nga KEK-u.

Drejtori Ekzekutiv i TC-Kosova B, Luigj Imeri, ka thënë se, “Kapaciteti maksimal i shfrytëzueshëm në kohën e pikut kur temperaturat janë më të ulëta janë arritur diku 70 MW/h energji termike, kjo nënkupton që edhe 70 MW/h të tjera janë në disponim. Në këtë rast sipas informacioneve të mia, Termokosi së bashku me institucionet tjera relevante është duke e bërë zgjerimin e rrjetit ta bëjmë zgjerimin e rrjetit sekondar dhe terciar në kuptimin që të kemi mundësi me shfrytëzu edhe këtë pjesën tjetër që ka mbet e pashfrytëzuar. Prandaj në i inkurajojmë që sa më parë ti shfrytëzojnë të gjithë kapacitetin që ofron KEK-u, pra edhe këto 70 MW/h energji termike”.

Dobitë nga projekti i kogjenerimit janë shumë të mëdha duke filluar nga ndikimi i drejtpërdrejt në përmirësimin e ambientit.

“Ajo çka është temë kryesore dhe që na shqetëson të gjithëve është ndotja e ambientit, e ky projekt ndikon drejtpërdrejt në uljen e ndotjes së ambientit, pra me shfrytëzimin e kogjenerimit ulet kërkesa për perdorimin e thëngjillit për prodhim të energjisë dhe shndërrimin e energjisë termike në energji elektrike dhe anasjelltas. Si rrjedhojë, ky projekt ka ndikim të drejtpërdrejt në përmirësimin e ambientit” ka shtuar Imeri.

Përveç ndikimit pozitiv që ka ky projekt në cilësinë e ajrit, zgjerimi i rrjetit dhe shfrytëzimi i kapaciteteve të plota do të kontribuojë shumë pozitivisht edhe në gjendjen ekonomike të qytetarëve.

Projekti i kogjenerimit ka filluar në vitin 2014, dhe nga atëherë është një tymtar më pak, që i bie një ndotës më pak.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme