Katër familjarë të ish-inspektorit të AKI-së punësohen në Aeroport

Prishtinë | 09 Tet 2020 | 19:27 | Nga Ekonomia Online

Së paku 4 familjarë ka punësuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ish-inspektori i AKI-së, tash avokat i ANP-së, Shkëlzen Sopjani.

Sipas burimeve të KOHËS, avokati Sopjani pak kohë nga deportimi i gylenistëve, në Aeroport ka “rehatuar” vëllain Blerimin, nipin Dardanin, bashkëfshatarin Jeton Zogiani e nipin e familjes së tij Dëfrim Selimin.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga Sopjani lidhur me familjarët e punësuar, por i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet.

Lidhur me punësimet në ANP, televizioni ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga drejtori i burimeve njerëzore, Basri Zuka. Ai nuk ka pranuar të përgjigjet me arsyetimin se për çfarëdo çështje duhet të kontaktojmë me zyrtarë të komunikimit e jo direkt me të.

Por pyetjeve të televizionit nuk janë përgjigjur nga Zyra për Komunikim me Publikun në Aeroport që nga java e kaluar, përkundër premtimit se një gjë të tillë do ta bëjnë këtë të hënën, më 5 tetor.

Përveç kësaj, tani avokati Shkëlzen Sopjani është duke mbrojtur Aeroportin e Prishtinës përballë punëtorëve të larguar nga puna.

Në proces gjyqësor me Aeroportin janë 51 punëtorë, nga gjithsej 57 sa janë larguar nga puna, shkaku që morën pjesë në greva. Aeroporti nuk i ka marrë parasysh as dy vendimet e Inspektoratit të Punës, përmes së cilave kërkohet kthimi në punë i punëtorëve të larguar.

Sërish Sopjani, nuk ka dashur të flasë për këtë çështje, pavarësisht tentimeve të KOHËS.

Në anën tjetër, gati gjysmën e punëtorëve të Aeroportit në gjykatë i përfaqëson avokati Shpëtim Sadiku. Ai ka paralajmëruar që së bashku me sindikatën së shpejti do të iniciojnë kallëzim penal ndaj Aeroportit për cenimin e të drejtës për grevë dhe mosrespektimin e kontratës.

“Objektivi ynë është që këto lëndë ti fitojmë në rrugë gjyqësore, duke arritur që vendimet e Limakut për largim – mosvazhdim të kontratave të punës, Gjykata ti shpallë të kundërligjshme dhe klientët e mi të kthehen në punë, dhe në detyra të punës që kanë punuar më parë. Natyrisht duke e obliguar Limakun t’ia kompensojë edhe fitimin e munguar – pagat për periudhën nga data e largimit e deri tek kthimi i tyre në punë… Shkeljet e Aeroportit Limak kanë filluar me largimin kundërligjor që ka bërë ndaj ish-punëtorëve, duke mos respektuar as një kriter ligjor, e ka vazhduar me mos respektimin e vendimit të Inspektoratit të Punës. Përfaqësimi ligjor i Aeroportit është nën minimunin profesional, sikur me vetëdije bëjnë shkelje ligjore në raport me punëtorët edhe pse posedojnë praktika gjyqësore nga viti 2013, për rastet e njëjta sikur tani, vendimet e gjykatave kanë qenë në favor të punëtorëve. Si avokat që përfaqësoj punëtorët e Aeroportit nëpërmjet Sindikatës, bashkërisht me Sindikatën, jemi duke e përgatitur kallëzimin penal ndaj Aeroportit si subjekt juridik, si dhe personave përgjegjës, pasi që të njëjtit kanë kryer edhe veprën penale nga neni 218 dhe 221 të KPRK-së”, tha Shpëtim Sadiku, Avokat i ish-punëtorëve të Aeroportit.

I bindur se në fund, fitues nga ky proces do të dalin punëtorët, është edhe kryesindikalisti, Bashkim Latifi.

“Presim që deri kah fundi i viti të përfundojë kjo dhe të kthehen punëtorët në punë. Nëse nuk bëhet ndryshe, përmes gjykatës do ta ekzekutojmë këtë vendim”, tha Bashkim Latifi, Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit.

KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga Aeroporti, lidhur me punëtorët e larguar dhe mundësinë që ata të kthehen në punë, sipas vendimeve të Inspektoratit.

Ditë më parë, KOHA ka raportuar lidhur me punësimin e Shkëlzen Sopjanit si avokat i Aeroportit. Sopjani gjatë kohës së deportimit të 6 shtetasve turq nga Kosova ishte inspektor në Agjencinë e Inteligjencës.

Pas AKI-së për disa muaj ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai njëherësh është i afërt me drejtorin e operimeve në ANP, Gokmen Aritay.

Të ngjashme