Kazinotë e pandaluara në Karaçevë

Prishtinë | 17 Dhj 2021 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Karaçeva, një fshat i vogël i Kamenicës, ka disa vite që është shndërruar në destinacion të hapjes së kazinove ilegale.

Kjo, sipas kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj, ndodh sepse është krijuar përshtypja se fshati në zonën kufitare me Serbinë, nuk është nën kontroll të institucioneve të Kosovës.

“Disa mendojnë se Karaçeva ka një territor, ku shteti i Kosovës nuk ka të drejtë të ndërhyjë, por ajo që ata mendojnë nuk është se qëndron, prandaj e kanë të gabueshëm mendimin dhe qëndrimin e tyre. Kjo pjesë është në territorin e Kosovës”, thotë Rahimaj.

Të mërkurën, më 15 dhjetor, Policia e Kosovës, gjatë një aksioni për mbylljen e lojërave ilegale të fatit në Karaçevë, arrestoi dy persona dhe shpalli në kërkim disa të tjerë.

Në këtë aksion u rrënuan tri objekte dhe u konfiskuan 96 aparate të lojërave të fatit, që ishin duke funksionuar ilegalisht.

Pjesa ku vazhdimisht po ndërtohen kazinotë në Karaçevë, është pranë vijës kufitare me Serbinë, ku ende nuk dihet vija e saktë që e ndan Kosovën nga Serbia. Në këtë vend nuk është kryer procesi i demarkimit të kufirit.

Megjithatë, sipas Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, në vendin ku po ndërtohen kazinotë, patrullohet kur ka informacione për incidente dhe kontrabandë.

“Ne, normalisht kur ka incidente, kur kemi informata për krime për kontrabandë, ne gjithsesi se patrullojmë”, thotë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit.

Për çështjen e kazinove në Karaçevë, Radio Evropa e Lirë i ka dërguar disa pyetje edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Aksionet e policisë s’i ndalën kazinotë e Karaçevës

Pavarësisht aksioneve të rrënimit dhe patrullimeve që Policia e Kosovës thotë se i bën, kazinotë ilegale kanë vazhduar të ndërtohen.

Në shtator të vitit 2020 u zhvillua një aksion i gjerë i rrënimit të kazinove në Karaçevë.

Prokuroria Themelore e Gjilanit njoftoi për arrestimin e 35 personave në atë aksion – prej tyre 12 ishin zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Në nëntor të po të njëjtit vit, Prokuroria Themelore e Gjilanit ngriti aktakuzë kundër 73 personave të dyshuar për rastin “Karaçeva”.

Shumica u akuzuan për kontrabandim me mallra, nëntë të tjerë u akuzuan për veprën penale “prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, ndërsa 20 të tjerë për veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.​

Karaçeva si rezultat i ndalimit të lojërave të fatit

Organizimi i lojërave të fatit është veprimtari ilegale në Kosovë që nga viti 2019.

Atëbotë, Kuvendi i Kosovës vendosi t’i ndalojë lojërat e fatit në një periudhë dhjetëvjeçare.

Ndalimi me ligj i kësaj veprimtarie, sipas drejtuesit të Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu, ka ndikuar që individë të caktuar të bëjnë përpjekje që të organizojnë në mënyrë të kundërligjshme lojëra të tilla në Karaçevë.

“Karaçeva është pasojë e ndalesës së lojërave të fatit. Bizneset, të cilat operojnë atje, nuk janë biznese që kanë operuar përpara”, shprehet Istrefi.

Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që të ketë individë, të cilët edhe më parë janë marrë me lojëra të fatit dhe që provojnë të fitojnë nga veprime të jashtëligjshme, siç është hapja e kazinove ilegale në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

“Kur e drejta legjitime u merret prej shtetit, të provojnë disi të mbijetojnë, edhe pse nuk e konsideroj veprim të mirë këtë. Por, njerëzit kanë pasur investime, kanë pasur kredi dhe këtyre brenda nate u është ndaluar kjo [veprimtari]. Çfarë pret tjetër këtu?”, thotë Istrefi.

Istrefi thotë se në kohën kur institucionet ndaluan me ligj organizimin e lojërave të fatit, të gjitha kazinove në Kosovë u janë konfiskuar aparatet dhe pajisjet e tjera që kanë pasur në dispozicion.​

ATK-ja i konfiskoi të gjitha aparatet

Konfiskimin e aparateve e konfirmon edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zyrtarët e ATK-së thonë se fillimisht, në vitin 2019, të gjitha aparateve në Kosovë u është kontrolluar gjendja dhe pastaj janë tërhequr nga lokalet për t’u dërguar në depo të ndryshme, ku edhe janë blombuar.

Më pas, këto aparate, sipas ATK-së, janë konfiskuar me urdhër të Prokurorisë.

“Ndërsa, në fund të vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021, me urdhër të Prokurorisë, të gjitha këto automate janë konfiskuar nga Policia dhe janë dërguar në terminale doganore apo në objekte ku janë të mbikëqyrura nga Policia dhe Dogana”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Pas miratimit të Ligjit për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, u mbyllën mbi 300 njësi të lokaleve të bastit, 133 lokale me aparate dhe 6 lokale me veprimtarinë bingo.

Vrasjet që shtynë mbylljen e lojërave të fatit

Aksioni për mbylljen e lojërave të fatit u motivua nga dy vrasje që ndodhën brenda objekteve të lojërave të tilla.

Jetmir Aliaj, 32 vjeç, u qëllua për vdekje më 17 mars, 2019, në një lokal të lojërave të fatit në qytetin e Suharekës.

Tri ditë më vonë, më 20 mars, Florent Ahmetaj, 32 vjeç, u vra me armë zjarri brenda një kazinoje në qytetin e Lipjanit.

Por, pavarësisht këtyre rasteve dhe rrënimit të objekteve të lojërave të fatit në Karaçevë, në këtë vend vazhdimisht u ndërtuan objekte, në të cilat u organizuan lojëra të fatit.

Këtë synon që ta parandalojë kryetari i ri i Kamenicës, Kadri Rahimaj.

“Na duhet një bashkëpunim dhe një bashkërendim i institucioneve komunale dhe qendrore. Do të kërkojmë edhe bashkëpunim, edhe mbështetje, në mënyrë që të parandalohet qysh në fazën fillestare dhe të mos presim që këta të zhvillohen deri në masën siç janë zhvilluar deri tash”, thotë Rahimaj.

Pa kazino, por me baste online

Pas miratimit të Ligjit për mbylljen e lojërave të fatit, në Kosovë janë bërë të pranishme platforma të ndryshme online, ku qytetarët mund të vendosin baste për ndeshje sportive apo të luajnë kazino.

B.L. [emër i njohur për redaksinë e REL-it] nga Prishtina vendos rregullisht baste në platforma të ndryshme online.

Ai thotë se në disa lokale në Prishtinë që merren me veprimtari të tjera, mund të shkosh dhe të rimbushësh llogarinë, e që pastaj të mundëson vendosjen e basteve online.

“Individë të ndryshëm kanë krijuar llogari në platforma digjitale. Ti shkon dhe u jep paratë e gatshme, ata ta rimbushin llogarinë online. Do të thotë, i lë disa të holla paradhënie në llogari, pastaj me to luan, vendos baste”, thotë ai.

Sipas B.L., individët që merren me këtë veprimtari ilegale, në disa raste kanë të hapura kafiteri të ndryshme, ku edhe mund të merren paratë e fituara nga bastet.

“Të gjitha ato që kanë qenë bastore të hapura, tani i kanë kthyer online”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, si dhe Policinë e Kosovës, nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim për mbylljen e platformave të tilla.

Këto dy institucione nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it.

Rajoni i lejon lojërat e fatit

Rregullimi i lojërave të fatit ka qenë problematik edhe për shtetet e rajonit. Shqipëria i ndaloi zyrtarisht ato në janar të vitit 2019.

Por, pas rishikimit të ligjit dhe vendosjes së rregullave specifike, Shqipëria lejoi sërish hapjen e lojërave të fatit.

Në Serbi, lojërat e fatit janë legale dhe të rregulluara me ligj. Për herë të fundit, Ligji për lojëra të fatit në këtë shtet është rishikuar në vitin 2020, me qëllim që të jetë në përputhje me ligjet dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Lojërat e fatit në Maqedoninë e Veriut janë të ligjshme, si në kazinotë tokësore, ashtu edhe në ato online.

Së voni, Mali i Zi është kthyer në një nga destinacionet më të njohura për lojërat e fatit.

Për shkak të numrit të lartë të turistëve, Mali i Zi është vendosur në hartë për lojtarët profesionistë, amatorë dhe turistët e rregullt.

Kazinotë dhe bastet për ndeshje sportive janë të lejuara me ligj edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Gjatë kohës sa kanë operuar në Kosovë, lojërat e fatit thuhet se i kanë sjellë buxhetit të Kosovës mesatarisht 20 milionë euro në vit.

Të ngjashme