KDI: Analiza lidhur me degradimin e mjedisit nga investimet kapitale me interes publik

Prishtinë | 05 Qer 2020 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka realizuar disa analizave dhe gjetje lidhur me degradimin e mjedisit nga investimet kapitale me interes publik. Këto analiza u publikuan sot në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit.

“Në analizën me titull “Lumenjtë e zi të Kosovës” vihet në pah se vetëm në tre vitet e fundit institucionet publike kanë dhënë kontrata në vlerë mbi 1 miliardë euro për ndërtim të rrugëve dhe të rrjeteve të kanalizimit, me masa minimale të mbrojtjes së mjedisit”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

Njoftimi i plotë:

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, KDI dëshiron të ndaj me ju disa prej analizave dhe gjetjeve kryesore lidhur me degradimin e mjedisit nga investimet kapitale me interes publik.

Në analizën me titull “Lumenjtë e zi të Kosovës” vihet në pah se vetëm në tre vitet e fundit institucionet publike kanë dhënë kontrata në vlerë mbi 1 miliardë euro për ndërtim të rrugëve dhe të rrjeteve të kanalizimit, me masa minimale të mbrojtjes së mjedisit. Ndërkaq Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis nuk parasheh dispozita të cilat kërkojnë vlerësime për investimet kapitale në rrjetet e kanalizimeve, përkundër që ato janë ndotësit kryesorë të lumenjve tonë.

Bazuar në një analizë tjetër të përgatitur nga KDI “Ujë pak e nevoja shumë” nga ndërtimi i hidrocentraleve në pellgun e lumit Lepenc, rrezikohet ujitja e mbi 32 mijë hektarëve tokë bujqësore në katër komuna: Ferizaj, Shtërpcë, Kaanik dhe Hani i Elezit. Analiza në fjalë, tregon që në rastin e HC Viça 3, Ministria e Mjedisit kishte dhënë pëlqimin Investitorit për ndërtim, pa përfillur detyrimet ligjore që sigurojnë pjesëmarrjen e komunitetit ne vendim-marrje per projektet që kanë ndikim mjedisor si dhe duke rrezikuar projektin madhor hidroekonomik Ibër-Lepenci.

Përveç dy punimeve të lartcekura, KDI ka analizuar edhe çështjen e degradimit të mjedisit nga industria mihëse. Analiza “Pyje për asfalt” tregon që gjatë viteve 2017-2019, 50 institucione lokale dhe qendrore të Kosovës kishin nënshkruar mbi 660 kontrata për investime publike në asfaltimin dhe shtrim me zhavorr të rrugëve në Kosovë në vlerë prej një miliard Euro. 8 nga 11 gurëthyesit të cilët janë subjekt i analizës së KDI-së, gjatë periudhës 2016 – 2019, kanë përfituar kontrata publike në vlerë prej 220 milion euro. Analiza tregon që vetëm në 17 rastet e trajtuara të operatorëve të industrisë nxjerrëse janë shkatërruar mbi 125 hektarë pyje, dhe në asnjërin prej tyre nuk është bërë ripyllëzimi siç kërkohet me ligj. Për më shumë, në rreth 82% të rasteve/gurëthyesve të trajtuara në këtë raport nuk janë respektuar dispozitat ligjore për distancën ndërmjet punishteve dhe vendbanimeve, duke shkaktuar ndotje mjedisore dhe akustike, dhe duke rrezikuar shëndetin, jetën dhe mirëqenien e banorëve.

Të gjitha analizat e plota dhe dy dokumentarët e përgatitur lidhur me temat në fjalë që shpëfaqin vizuelisht problemet në këtë fushë, i gjeni të bashkangjitura me këtë email, dhe në linqet në vijim:

Dokumentari për hidrocentralin që po ndërtohet në Biti të Poshtme: https://www.youtube.com/watch?v=42A81qLCDmE&t=80s

Dokumentari për ndotjen e lumenjëve nga derdhja e ujërave të ndotura: https://www.youtube.com/watch?v=9lJO6RfWcX4

Të ngjashme