KDI: Korrupsioni mbetet problemi më i madh i kosovarëve

Prishtinë | 16 Nën 2016 | 12:16 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Raporti i ri “Barometri Global i Korrupsionit (GCB)” i Transparency International, rrjet në të cilin bën pjesë edhe Instituti Demokratik i Kosovës, konstaton se dy të tretat e personave në Kosovë e renditin korrupsionin si një nga problemet më të mëdha në vend.

Ky raport i cili është zhvilluar në 42 shtete të Evropës dhe Azisë Qendrore, e renditë Kosovën të tretën në listë sa i përket mendimit qytetar se korrupsioni është njëri prej tri problemeve më të mëdha me të cilat ballafaqohet vendi. Sipas raportit, 67 % e të anketuarve për këtë raport mendojnë se Qeveria e Kosovës nuk është duke bërë punë të mirë në luftimin e korrupsionit.

Përfaqësues të KDI-së,  nëpërmjet një konference për media kanë prezantuar sot rezultatet e këtij barometri.

“Nga vendet e rajonit, Kosova ka veçanërisht një nivel të ulët të ryshfetit me vetëm 10%, edhe pse ka hapësirë për përmirësim tregon që vendi ynë ka arritur që të kontrollojë mitmarrjen në sektorin publik shumë më mirë se shtetet tjera. Në Shqipëri (me 34%) dhe në Bosnje dhe Hercegovinë (27%) ky fenomen është shumë më i përhapur”, ka thënë  Artan Canhasi nga KDI-ja.

Në aspektin e përfshirjes së krerëve të shtetit në korrupsion, Majlinda Kurti, nga KDI-ja tha se të anketuarit në Kosovë mendojnë se 46% e zyrtarëve qeveritarë dhe deputetëve janë të përfshirë, ndërsa gjykatat me 40 për qind.

Ndërsa, shtoi se besimi më i lartë i mospërfshirjes në korrupsion, u takon udhëheqësve fetar pasuar nga Policia e Kosovës me 18 për qind.

Nga pyetjet e përfshira në këtë hulumtim, qytetarëve ju është kërkuar mendimi se “Përse qytetarët nuk e raportojnë korrupsionin”, arsyeja kryesore e identifikuar nga ta është “frika nga pasojat”.

Barometrit Global  i Korrupsionit,  në Kosovë është zhvilluar nga dhjetori 2015 deri në mars 2016, me gjithsej 1 mijë e 500 respondentë.

Të ngjashme