KDI: Ligji për partitë politike, i domosdoshëm

Prishtinë | 07 Mar 2017 | 12:31 | Nga

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot tryezë diskutuese mbi nevojën e miratimit të Ligjit për partitë politike në Kosovë. Qëllimi i këtij debati ishte përcaktimi i kritereve minimale të funksionimit të demokracisë së brendshme pasi që paritë politike në Kosovë konsiderohen si institucione më së paku të besuara në raport me institucionet tjera.

Lidhur me këtë KDI-ja publikoi gjatë kësaj tryeze punimin “Shqyrtimi i praktikave të ligjit për partitë politike”.

Në hapje të tryezës, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, theksoi se demokracia e brendshme e partive politike nuk është mirë e konsoliduar, ndërsa aspektet ligjore të adresimit të kontesteve të brendshme, të statusit të partive politike dhe shumë çështje të tjera nuk janë mirë të definuara duke theksuar nevojën për një ligj që avancon këto çështje.

Kurse, Alexander Chavarria, drejtor rezident i NDI-së, në cilësinë e panelistit në këtë debat foli rreth nevojës për të pasur Ligj për partitë politike. Ai ka vlerësuar se Kosova e ka të nevojshme të ketë një Ligj për partitë politike. Sipas tij është e nevojshme për Kosovën që të filloj të diskutojë lidhur me këtë ligj pasi që është një instrument ligjor që rregullon se çfarë mund të bëjë një parti politike duke nisur nga rregulloret, statuti, përbërja, zgjidhja e kontesteve, financat si dhe aktivitetet e tjera politike. Ligji për partitë politike ka shtuar se do të përcaktonte kufijtë se si do të qeverisin partitë si organizata.

Chavarria ndër të tjera ka theksuar se një ligj i tillë do të përkufizonte standardet, kriteret minimale në mënyrë që secila parti politike të kuptoj se si duhet të funksionoj. Ndërkaq ka porositur që nuk duhet ngutur në hartim të këtij ligji, duhet të sigurohet konsensus i gjerë dhe se ky ligj duhet ta trajtoj me kujdes veçanërisht aspektin e llogaridhënies.

Fitim Mulolli, drejtor rezident i WFD-së, ka theksuar se aktualisht çështja e partive politike në Kosovë është e rregulluar nëpërmjet disa ligjeve dhe konventave ndërkombëtare që sipas tij, do të ishte mirë të përmblidheshin në një ligj që do të lehtësonte punën për të gjithë.

Nëse do të vendoset për hartimin e një ligj të tillë, ka thënë se të gjitha palët duhet të jenë të kujdesshme se çfarë përfshijnë në të. Mulolli ka vlerësuar se një ligj i tillë duhet ti ketë parasysh katër parime si: demokracia, sundimi i ligjit, transparenca si dhe ndërtimi i profilit ideologjik.

Ndërkaq, Albert Krasniqi nga KDI njëherësh autor i punimit “Shqyrtimi i praktikave të ligjit për partitë politike”, gjatë prezantimit të këtij punimi theksoi se punimi sjell në pah praktikat e rregullimit të partive politike në të gjitha shtetet e botës dhe nevojën për një debat të gjerë dhe të strukturuar me pjesëmarrje të të gjithë akterëve.

Pjesë e këtij debati ishin përfaqësues të partive politike, organizatave të shoqërisë civile vendore dhe ndërkombëtare të cilët shprehën qëndrimet e tyre lidhur me nevojën për të pasur një ligj të tillë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme