KDI me rekomandime për përmirësim të gjendjes së konstatuar në raportin e KE-së

Prishtinë | 18 Pri 2018 | 15:20 | Nga

Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian edhe këtë vit ua rikujtoi institucioneve të Kosovës obligimet të cilat duhet t’i përmbushin në mënyrë që Kosova të shënojë përparim në proceset integruese evropiane, njofton kumtesa nga KDI, transmeton Koha.net.

Vlerësimi i përgjithshëm i raportit thekson përparim të ngadaltë të shtetit në Agjendën e Reformës Evropiane. Sikurse edhe në vitet paraprake, Kosova mbetet në “fazë të hershme” në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimin e sistemit gjyqësor dhe administratës publike apo përputhshmërinë me standardet evropiane.

Përkitazi me gjetjet e këtij raporti, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), jep rekomandime për institucionet për përmirësim të gjendjes në sektorët që bien në fushëveprimtarinë e KDI-së si në vijim:

Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit:

Raporti konfirmon shqetësimet e adresuara paraprakisht nga KDI, lidhur me angazhimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit. Shtrirja e korrupsionit në të gjitha nivelet, ndikimi politik i qeverisë në sistemin e drejtësisë dhe mungesa e kapaciteteve në institucionet e sundimit të ligjit për të përmbyllë rastet e korrupsionit dhe dënuar fajtorët mbeten faktorët kyç që pengojnë progresin. KDI përmes 15 pikëshit, u ka rikujtuar institucioneve veprimet konkrete dhe të domosdoshme që duhet të ndërmerren për të qenë më efikas në përmirësimin e gjendjes aktuale.

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, i rishikuar dhe i miratuar rishtazi nga Kuvendi i Kosovës si përpjekje për ta sjellë atë më afër standardeve evropiane dështoi t’a rregullojë çështjen e suspendimit dhe largimit të zyrtarëve publikë të akuzuar për korrupsion.

Financimi i partive politike dhe shpenzimet e tyre gjatë fushatës vazhdojnë të karakterizohen me nivel të ulët të transparencës, e që lë proceset demokratike të ekspozuara ndaj rreziqeve të mëdha të korrupsionit dhe ndikimeve nga jashtë. Publikimet e fundit të raporteve të auditorit të jashtëm të financave të partive politike kanë konfirmuar shkelje të rënda të legjislacionit dhe mangësi në kontrollin financiar.

Ligji për mbrojtjen e informatorëve ende nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe duhet përmirësuar mekanizmat dhe kërkesat e mbrojtjes së informatorëve si në ligj, po ashtu edhe në praktikë.

Puna e Kuvendit të Kosovës:

Komisioni Evropian në Raportin për Kosovës pasqyron në mënyrë reale edhe punën e Kuvendit të Kosovës, duke vënë në pah anomalitë në funksionimin e institucionit më të lartë në vend. Ky raport, ndër të tjera, konfirmon edhe të gjeturat e KDI-së nga monitorimi i vazhdueshëm i punës së Kuvendit, ku konstatohet se Kuvendi në përgjithësi duhet të përmirësojë ndjeshëm performancën e vet si një forum konstruktiv për dialog politik dhe përfaqësim. Mungesat e shumta të deputetëve në punimet e Kuvendit si dhe polarizimi i skajshëm mes subjekteve politike parlamentare ka ndikuar edhe më shumë në uljen e efikasitetit të punës së Kuvendit, që në masë të madhe është reflektuar edhe në ushtrimin e funksioneve bazike të Kuvendit. Për të tejkaluar këto probleme, është i nevojshëm një konsensus politik mes subjekteve parlamentare, sidomos në çështjet e ndërlidhura me agjendën evropiane të vendit. Ushtrimi i mbikëqyrjes efektive ndaj ekzekutivit dhe agjencive të pavarura në masë të madhe do të përmirësonte performancën e Kuvendit. Deputetët duhet ta marrin me seriozitet rolin e tyre ligjbërës dhe përfaqësues, dhe duhet të jenë të orientuar drejt përmbushjes së mandatit të tyre, e assesi të mos shërbejnë si faktorë stagnimi në rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Dialogu Kosovë-Serbi:

Në kuadër të kërkesave të dala nga Raporti i KE-së rreth Dialogut Kosovë -Serbi dhe zbatimit të marrëveshjeve të dala nga dialogu, institucionet e Kosovës duhet të sigurohen që themelimi i Asociacionit të Komunave serbe të jetë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji, urën e Mitrovicës dhe ndërtimin e katër pikave doganore mes dy shteteve, Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet e saj rreth zbatimit dhe vonesat dhe obstruksionet janë shkaktuar nga shteti i Serbisë, siç evidentohet edhe në këtë raport.

Në linjë me gjetjet e raportit, Serbia duhet të ndërpres bllokimin e Kosovës në forumet rajonale, rivendosjen e strukturave doganore me emërtimin “Kosovo” që operojnë brenda Serbisë, dhe lëshimin e vulave doganore të tilla që janë në kundërshtim me marrëveshjen.

KDI vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të përmbushin detyrimet e tyre rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialog, duke pasur parasysh në vazhdimësi që zbatimi të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Kosova duhet të vazhdojë praktikën e raportimit të vonesave dhe obstruksioneve të shkaktuara nga Serbia, tek BE-ja e cila duhet të ushtrojë presion dhe kushtëzime tek Serbia për zbatimin e këtyre marrëveshjeve.

Zgjedhjet:

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, sa i përket zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe atyre lokale të mbajtura gjatë vitit 2017, konstaton se ato kanë qenë konkurruese dhe mirë të administruara në shumicën komunave në Kosovë. Përjashtim bëjnë komunat e banuara me shumicë serbe, ku janë kanosur kandidatët që nuk kanë qenë nga radhët e Listës Serbe, e cila është raportuar nga Demokracia në Veprim (DnV) gjatë procesit zgjedhor.

Përkundër përparimit në organizimin e zgjedhjeve, raporti ka theksuar një sërë dobësish që kanë të bëjnë me financimin e partive politike, pjesëmarrjen e ulët të grave në zgjedhje dhe në politikë, listat e pasakta të votuesve dhe një sistem të dobët të votimit për qytetarët që jetojnë jashtë vendit.

Më tej, Komisioni Evropian ka kërkuar nga i gjithë spektri politik të tregojë vullnet për të kryer reformat e nevojshme zgjedhore para organizmit të zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.

Edhe KDI në vazhdimësi ka kërkuar që të përmbyllet procesi i reformës zgjedhore, të pastrohen listat e votuesve dhe të krijohet një ambient më i përshtatshëm për gratë që të marrin pjesë në jetën politike. Gjatë monitorimit të fushatave zgjedhore nga DnV, është gjetur se gratë kandidate më pak se në 20% të tubimeve kanë pasur rastin t’i adresohen publikut.

Si tejet e rëndësishme është theksuar edhe rregullimi më efektiv i financimit të partive politike dhe i fushatës, pasi që nuk ka monitorim dhe kontroll sistematik në këtë fushë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme