KDI: Seanca për vlerat e UÇK-së, presion ndaj gjyqësorit

Prishtinë | 28 Tet 2016 | 16:49 | Nga

Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për zhvillimin e një debati parlamentar për vlerat e UÇK-së si reagim ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për rastin “Drenica 2”, përveç se ka qenë formë e presionit të pushtetit legjislativ ndaj atij gjyqësor, ka përçuar mesazh të gabuar te qytetarët.

Kështu e ka vlerësuar Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Kuvendit për rastin “Drenica”.

“Nëse Kuvendi nuk i beson sistemit të drejtësisë dhe konteston vendimet e saj, atëherë si mund të pritet nga qytetarët të bëjnë këtë?! Kosova edhe ashtu është kritikuar në vazhdimësi për brishtësinë që ka sistemi i drejtësisë dhe ndërhyrjes së politikës në të. Kjo seancë vetëm sa ka konfirmuar një pretendim të tillë”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Për më tepër KDI vlereëson se debati i zhvilluar nuk prodhoi ndonjë diskutim përmbajtësor dhe nuk arriti t’i vejë në spikamë vlerat e UÇK-së, por më shumë shpërfaqi mungesën e vlerave tek një numër i konsiderueshëm i deputetëve. Degjenerimi i debatit në fyerje personale, kërcënimet mes deputetëve, përdorimi i gjuhës jo parlamentare, shkëmbimi i akuzave të ndërsjella, e posaçërisht tentim sulmi i deputetit në foltore janë të patolerueshme, sidomos në një debat ku pretendohet të diskutohet për vlerat e UÇK-së.

Kuvendi nuk guxon në asnjë formë të kthehet në arenë përleshjesh mes deputetëve. Është në kompetencë të kryesuesit të seancës që të parandalojë diçka të tillë.

KDI kërkon nga kryesuesi që të zbatojë të gjitha masat e nevojshme ndaj deputetëve të cilët pengojnë mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit, përdorin gjuhë jo parlamentare apo pengojnë deputetët e tjerë në ushtrimin e mandatit të tyre. Këto masa të vlejnë për të gjithë deputetët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake, duke qenë se u vërejt zbatimi i standardeve të dyfishta nga Kryetari.

“I bëjmë thirrje Kuvendit të respektoj parimin e ndarjes së pushteteve. Deputetëve të që të jenë më të matur karshi zhvillimeve politike, të vendosin interesin e qytetarëve të Kosovës në radhë të parë, dhe të mos përpiqen të përfitojnë politikisht nga ngjarje të tilla kaq të ndjeshme për shoqërinë dhe familjet e dëshmorëve”, përfundon reagimi i KDI-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme