KDI: Shkollat, transporti dhe rrugët në Kamenicë, në gjendje të rëndë

Prishtinë | 28 Gus 2019 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka prezantuar katalogun e çështjeve për komunën e Kamenicës, që përfshinë problemet me të cilat përballen qytetarët dhe bën prioritizimin e disa çështjeve esenciale që duhet të përfshihen në planifikimet buxhetore të komunave për vitin 2020.

Si rrjedhojë e një hulumtimi në terren, në këtë komunë janë identifikuar probleme në infrastrukturën rrugore, rrjetin e kanalizimit, furnizimin me ujë të pijes, transport publik, gjendjen e shkollave, menaxhimin e mbeturinave, në ndriçimin publik dhe shërbimet shëndetësore.
Pothuajse në të gjitha vendbanimet kanë nevojë për intervenim në infrastrukturën rrugore.

Problemi me ujësjellës paraqitet si problem primar që ka nevojë për intervenim. Shumë fshatra si; Busvata, Krileva, Strezoci, e fshatra të tjerë malorë shprehin shqetësimin e tyre rreth çështjes të ujit të pijes.

Ndërsa gjendja jo e mirë e shkollave është shprehur në shumë lokalitete të komunës së Kamenicës. Nga 35 anketave të realizuara në 21 lokalitete (14 shkolla) banorët shprehin pakënaqësitë e tyre rreth gjendjes së shkollave.

Komuna e Kamenicës për shkak të territorit shumë të madh dhe popullsisë së shpërndarë, sigurimi i transportit, sipas banorëve, do ta lehtësonte jetën në fshatra të thellë ku me ç ‘rast do ta zvogëlonte migrimin fshat-qytet.

Për më tepër katalogu i çështjeve është realizuar gjatë periudhës prill-qershor 2019. Përgjatë kësaj periudhe kohore janë vizituar gjithsej 275 vendbanime (fshatra/ lagje). Qëllimi i këtij katalogu është që ta rrisë vetëdijen qytetare dhe institucionale për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në konsultime publike me zyrtarët komunal.

Të ngjashme