KEK-u kthen në punë njësinë A-3

Prishtinë | 03 Shk 2017 | 21:37 | Nga

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se pas ndaljes së detyruar të Njësisë 5 të TC “Kosova A”, sot në mbrëmje ka kthyer në operim Bllokun A-3.

“Në termocentralin ‘Kosova A’, si pasojë e kushteve klimatike gjatë janarit, gjendja e njësive është rënduar tejmase dhe nevoja për intervenim ka qenë e paevitueshme, në mënyrë që të shmangim ndonjë ndalesë emergjente. Si rrjedhojë, KEK-u ka qenë i obliguar të ndalë njësinë A-5 dhe ka bërë maksimumin që konform procedurave ta zëvendësojë më njësinë A-3. Angazhimi maksimal i punëtorëve dhe drejtuesve të KEK-ut ka rezultuar me sukses dhe kjo njësi tashme është në operim. Më saktësisht, blloku A-3 u sinkronizua me rrjetin në ora 20:20”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

KEK-u thekson se megjithëse janari i sivjetmë ka qenë ndër më të vështirët në dekadat e fundit si pasojë e kushteve ekstreme klimatike, me angazhimin dhe përkushtimin e madh të punëtorëve ka arritur t’i mbajë të gjitha njësitë në operim.

“Përkundër faktit se operimi në termocentrale gjatë këtij moti të ligë dhe temperaturave jashtëzakonisht të ulëta ka qenë tepër i vështirë, dhe shumica e vendeve te rajonit kanë qenë të detyruara të përgjysmojnë prodhimin, falë angazhimit maksimal të punëtorëve të KEK-ut, kemi arritur, jo vetëm t’i mbajmë në operim të gjitha njësitë, por edhe ta realizojmë prodhimin e planifikuar me përpikëri”.

Në muajin janar, kur kërkesa për konsum është më e larta gjatë gjithë vitit, KEK-u thotë se e ka realizuar planin me një mesatare prej 96.8%.

Sa i përket furnizimit të konsumatorëve, KEK-u thotë se sipas licencës kjo kompetence bie mbi përgjithësinë e plotë të furnizuesit publik KEDS/KESCO, që ka te drejtën dhe përgjegjësinë ekskluzive si për blerje të energjisë nga KEK-u ashtu dhe importin nga regjioni kur ka mungesë të energjisë.

“KEK-u është i licensuar vetëm për eksploatimin e thëngjillit dhe gjenerimin e energjisë elektrike. Si rrjedhojë, çdo mos realizim i planifikimit apo devijim nga plani ndikon drejtpërdrejt në të hyrat e KEK-ut pasi që pagesa bëhet në bazë të prodhimit. Pra në jemi palë e dëmtuar dhe asnjë licencuar tjetër pasi që kemi tarifa të rregulluara”, përfundon komunikata e KEK-ut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme