KEK-u: Po na mbarojnë rezervat e thëngjillit

Prishtinë | 23 Kor 2017 | 09:08 | Nga

Mihjet sipërfaqësore të thëngjillit po mbarojnë gjë që mund të shkaktoj ndërprerje të prodhimit të energjisë elektrike nga ana e KEK-ut.

Andaj kjo korporatë ka nisur një kërkesë emergjente në Ministrinë e Mjedisit për shpronësim të disa pronave.

Ndërsa për problemet që janë paraqitur me shpronësim në disa vende, KEK-u po fajëson institucionet.

“Përkundër njoftimeve dhe alarmimeve të përhershme nga ana e KEK-ut, për shkak të neglizhencave të vazhdueshme të institucioneve (inspektorateve kompetente), në këtë zone kemi pasur aktivitete ilegale të ndërtimeve të egra, jo për jetesë por për qëllime spekulative të përfitimit. Si rrjedhim i këtyre veprimeve, jo vetëm se kemi ngecje të procesit të zhvendosjes dhe rrezikim të prodhimit, por kemi dëmtim direkt edhe të banorëve legjitim të asaj zone. Për më keq, si pasojë e mos veprimit të inspektorateve përkatëse (edhe pse kishin informacione të sakta), ndërtuesit ilegal kishin duart e lira të veprojnë të qetë, me ç‘rast përmes manipulimit të banorëve legjitim, nuk ishte lejuar incizimi objekteve dhe qasja në lagje të tëra, derisa ndërtimet e egra për qellim përfitimi vazhdonin me një hovë të shtuar”, është thënë në deklaratën e KEK-ut.

Tutje nga KEK-u kanë bërë të ditur që për shkak të ndërprerjes së punës në hapjen e mihjes në drejtim të fshatit Shipitullë, rezervat tashmë janë duke u shpenzuar.

“KEK është duke analizuar në vazhdimësi situatën rreth rezervave aktuale, por afati i shpenzimit të tyre varet tani kryekëput nga ekspeditiviteti i institucioneve përgjegjëse në kryerjen e detyrave të tyre për të zhbllokuar situatën dhe lejimin e menjëhershëm për qasje në zonën e përcaktuar për zhvillimin e mihjes”, thuhet në deklaratë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme