BE këmbëngul për bashkëpunimin e Serbisë lidhur me krimet e luftës

Prishtinë | 20 Kor 2016 | 09:34 | Nga

Pas muajsh të tërë vonesa, BE të hënën miratoi hapjen e Kapitujve 23 dhe 24, dy kapitujt e rëndësishëm mbi sundimin e ligjit në negociatat e Serbisë për anëtarësim në BE, por këmbënguli se Beogradi përmbush disa standarde për çështjen e krimeve të luftës.

Standardet e përcaktuara për Kapitullin 23, i cili mbulon të drejtat gjyqësore dhe ato themelore, përfshin këmbënguljen që Serbia zbaton strategjinë e saj kombëtare për ndjekjen penale të krimeve të luftës, miraton një strategji prokuroriale për krimet e luftës, përmirëson ndihmën e saj për viktimat dhe programet për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ndjek penalisht autorë krimesh të nivelit të lartë.

Serbia duhet të bashkëpunojë edhe me fqinjët e saj për çështjet e krimeve të luftës, sidomos për personat e zhdukur nga konfliktet në Ballkan.

Serbia duhet të angazhohet “në një bashkëpunim kuptimplotë rajonal dhe në marrëdhëniet e mira fqinjësore për trajtimin e krimeve të luftës, duke shmangur konflikte juridiksioni dhe duke u siguruar që krimet e luftës të ndiqen penalisht pa asnjë diskriminim”, thotë dokumenti i BE-së për hapjen e kapitujve.

“Të gjitha çështjet e rëndësishme në këtë aspekt duhet të zgjidhen plotësisht,” shton ajo.

BE-ja kërkoi më tej bashkëpunim të plotë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, pasi Beogradi së fundmi refuzoi të dërgonte në Hagë tre anëtarë të Partisë Radikale Serbe për t’u përballur me akuzat për shpërfillje të gjykatës.

Hapja e dy kapitujve përfaqëson një çast të rëndësishëm në negociatat e anëtarësimit të Serbisë pasi Kroacia bllokoi hapjen e kapitujve për tre muaj me radhë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme