“Kemi bërtit, kemi qajtë e qesh”, ky ishte reagimi i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës pas dënimit të Vukotiq

Prishtinë | 05 Kor 2021 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim, Zoran Vukotiqin, për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht për dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë.

Lajmin e kanë pritur shumë mirë të gjitha viktimat e dhunës seksuale në vend.

Shyhrete Tahiri-Sylejmani, viktimë e dhunës seksuale në Kosovë, e cila ka qenë e pranishme në seancën ku u vendos për dënimin Vukotiqit, ka rrëfyer në emisionin Frontal në T7, se si kanë reaguar në ato momente.

Lot e buzëqeshje e kanë përcjellur atë e viktimën pas marrjes së vendimit për dënimin e Vukotiqit.

“ Sot kam qenë bashkë me zonjën. Unë e kuptoj gjendjen e saj, e di qysh është ndier. Të gjithë kemi bërtit aq shumë, thash shyqyr që nuk po na sheh askush. Jemi gëzuar shumë, edhe kemi qajtur edhe kemi qeshur edhe kemi festuar”, është shprehur ajo.

Tahiri-Sylejmani ka deklaruar se sot është fillimi i një epoke të re.

Ajo ka thënë se sot është ditë historike.

“Nuk është fundi është fillimi i një epoke të re. Sot është një ditë historike kur ne si të mbijetuara kemi arritur të kemi një drejtësi, e krimineli të jetë në qeli. Kjo datë e sotit do të shënohet”, ka shtuar ajo.

Ajo ka inkurajuar të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që të kërkojnë drejtësi për rastet e tyre.

Ndërsa, edhe pse ende nuk është vendosur drejtësi për të, ajo ka thënë se asnjëherë nuk do të heqin dorë së kërkuari atë.

Të ngjashme