Keqpërdorën në një tender në Ranillug, aktakuzë ndaj katër zyrtarëve të komunës

Prishtinë | 29 Tet 2021 | 10:23 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër katër personave që dyshohet se kanë bërë keqpërdorime në një tender në komunën e Ranillugut.

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se të dyshuarit i kanë shkaktuar komunës dëm prej 8 mijë e 307 eurove.

Sipas aktakuzës, të dyshuarit me dashje kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurve G.J., I.Gj., B.Gj. dhe S.D., për keqpërdorime në një tender në komunën e Ranillukut. Sipas aktakuzës, që nga muaji janar i vitit 2018, në Ranilluk, të pandehurit e lartshënuar, si persona zyrtarë në komunën e Ranillukut, me dashje kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në tenderin me titull ‘’Rindërtimi dhe përmirësimi i ndriçimit rrugor në komunën Ranillukut për vitin 2018’’, të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrimet që dalin nga vendimi, duke mos iu përmbajtur paramasës dhe parallogarisë së këtij tenderi, ashtu që me mos veprimet e tyre kanë dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 8.307,00 €, në favor të një operatori ekonomik në Prishtinë, duke i pranuar gjashtë (6) pozicione të pa kryera si pozicione të kryera, të cilat vizualisht shihen në disa fshatra të komunës së Ranillukut, ku në secilin fshat numrat e pozicioneve ndryshojnë por përshkrimi i punëve është i njëjtë, e pas pranimit teknik komuna e Ranillukut i paguan si pozicione të kryera”, është bërë e ditur në njoftim.

Të ngjashme