Kërcënime me vdekje për gazetarët serbë që shkruan për Kosovën e Ukrainën

Prishtinë | 29 Nën 2022 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Gazeta kryesore në Serbi,” Danas”, është vënë nën mbrojtje të policisë, pasi është kërcënuar se do ta ketë fatin e njëjtë sikurse revista satirike franceze, Charlie Hebdo, pas disa shkrimeve në lidhje me Kosovën dhe luftën në Ukrainë.

Kryeredaktori i Danasit thotë se kërcënimet e nacionalistëve të ekstremit të djathtë lidhen me mbulimin e luftës në Ukrainë dhe të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën.

Redaksia e “Danas”, gazetës kryesore në Serbi, është gati e zbrazët dhe se shumica e stafit të kësaj gazete po punon nga shtëpia pas një emaili kërcënues.

Në të shkruhej se “Danas do të përfundojë si Charlie Hebdo”, shkruan REL, transmeton Klankosova.tv.

12 njerëz janë vrarë nga një sulm i militantëve islamistë kundër kësaj reviste satirike franceze në vitin 2015.

“Gazetarët dhe kolumnistët tuaj janë në rrezik të vrasjes nga disa struktura të ekstremit të djathtë, që veprojnë në hije. Kur breshëria e plumbave do të nisë befas të thyej dritaret dhe të bjerë mbi kokat tuaja, ju do të vetëdijesoheni dhe do të kuptoni gjithçka”, thuhet në emailin anonim të dërguar në adresë të “Danas”.

Kryeredaktori i “Danas” , Dragoljub Petroviq, thotë se kërcënimet lidhen me mbulimin e ngjarjeve në Kosovë.

“Janë disa etiketa klasike që na ngjiten: se jemi patriotë të pamjaftueshëm, se jemi tradhtarë… Ne ua ofrojmë mundësinë të gjithëve ta thonë atë që mendojnë. Dhe njerëzit, thjesht, nuk kanë njohuri të mjaftueshme mediatike për të kuptuar se, nëse publikon një intervistë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, nuk do të thotë se je tradhtar, por gazetar”, është shprehur ai.

“Danas” është kritikuar edhe për mbulimin e luftës në Ukrainë.

“Më duket se janë zgjuar disa djathistë, disa “patriotë të mëdhenj” dhe disa rusofilë. Putinofilë do të thosha. Ka një valë zemërimi me artikujt tanë”

Së voni, Nebojsha Bakarec, anëtar i partisë së presidentit serbm Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar disa raportime të mediave.

“Këto ditë po bëhet një luftë e posaçme hibride dhe ëllimi është t’ bëhet presion Serbisë për të njohur shtetin e rremë të Kosvoës dhe për t’i vendosur sanksione Rusisë”, është shprehur Bakarec, transmeton Klankosova.tv.

Kujtojmë se në Serbi ka pasur protesta në mbështetje të Kremlinit, pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.

Policia serbe tani është vendosur jashtë zyrave të “Danas”, ndërsa hetimet për emailin kërcënues po vazhdojnë.

Të ngjashme