Kërkesa e veteranëve për Specialen s’ka përkrahje të plotë në Kuvend

Prishtinë | 15 Gus 2020 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së që të ndryshohet Ligji për Gjykatën Speciale (Dhomat e Specializuara), nuk është e sigurt se do të merret parasysh në Kuvendin e Kosovës.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga grupet parlamentare që përmes amandamentimit të këtij ligji, Gjykata Speciale të hetojë të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, janë të ndarë sa i përket mbështetjes së kësaj kërkese. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, thotë për Radion Evropa Lirë se nuk do ta përkrahë këtë kërkesë të veteranëve.

Ish-ushtari i UÇK-së thotë se Gjykata Speciale nuk është themeluar për ta dënuar luftën e UÇK-së, por sipas tij, duhet të dënohen vetëm ata që kanë vrarë njerëz të pafajshëm.

“Nuk do të përkrahet nga deputetët, nuk do të procedohet në Kuvend kur dihet se kjo gjykatë është formuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për krimet e bëra gjatë dhe pas luftës. Kjo gjykatë nuk është formuar për ta dënuar luftën e UÇK-së ngase dihet se lufta e saj ishte e pastër. Kjo gjykatë është formuar për vrasjet në luftë dhe pasluftë dhe ato duhet te zbardhen nga kjo gjykatë, pasi që UNMIK-u dhe EULEX-i dhe drejtësia jonë dështuan edhe pse kishin argumente të mjaftueshme”, thotë Rudi.

Mendim krejt tjetër ka deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj. Ai thotë se kjo kërkesë do të përkrahet nga partia e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Kërkesa që të hetohen të gjitha krimet, sidomos që i ka bërë Serbia në Kosovë është një iniciativë e drejtë dhe natyrshëm. Unë personalisht, dhe besoj që edhe Grupi Parlamentar i AAK-së, çfarëdo iniciative që ka të bëjë me këtë ndryshim është e pranueshme dhe e përkrahim”, thotë Selmanaj.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe me partitë e tjera. Dy partitë më të mëdha opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.

Drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës disa herë e kanë quajtur si “raciste dhe të njëanshme” këtë Gjykatë, pasi sipas tyre ajo nuk do të hetojë edhe krimet serbe në Kosovë.

Të ngjashme