Kërkohen mekanizma për t’i dhënë fund dhunës seksuale në konflikte, rasti i Kosovës

Prishtinë | 22 Pri 2019 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Komuniteti ndërkombëtar kërkon përgjigje t’i japë fund dhunës seksuale në konflikte. Këshilli i Sigurimit diskuton këtë javë në një debat të hapur. Gjermania kërkon krijimin e mekanizmave për përndjekje ligjore.

Dhuna seksuale vazhdon të mbetet taktikë e përdorur në luftëra, terrorizëm dhe në represionet politike. Kjo pohohet në raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Raporti do të diskutohet në një debat të hapur në Këshillin e Sigurimit, ditën e martë, (23.04).

Dhuna seksuale në konflikte është e vjetër sa bota, por OKB-ja është duke u marrë me të vetëm dhjetë vitet e fundit. OKB-ja krijoi zyrën e përfaqësuesit special, së cilës i dha mandatin më 2009 me rezolutën 1888. Sot dhuna seksuale në konflikte shihet si kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Rastet e Kosovës – jo pjesë e raporteve të OKB-së

Komuniteti ndërkombëtar u bë i ndërgjegjshëm sidomos pas luftërave të Bosnjës dhe Kosovës. Dhuna seksuale në Bosnjë është trajtuar edhe zyrtarisht, ndërkohë që zyra e Përfaqësueses speciale të OKB për dhunën seksuale në konflikte nuk ka qenë në gjendje deri tani të nxjerrë një raport zyrtar për Kosovën, për dhunën seksuale të ushtruar në 1998 dhe 1999. Pramila Patten, shefe e zyrës i tha Deutsche Welles javën e kaluar se: “Kosova nuk bën pjesë në raport. Kosova asnjëherë nuk ka qenë pjesë e raportit. Ky ka qenë një vendim i marrë nga punonjësit e mëparshëm për të marrë mandatin. Më 2009 vendimi është marrë për të mos e mbuluar Kosovën.” Kështu dhuna seksuale në Kosovë nuk është më pjesë e punës së ekspertëve të OKB, por është futur si kartë në tavolinën e bisedimeve.

Lufta kundër dhunës seksuale bazohet kryesisht në trajtimin e të mbijetuarve. Në misionet e saj OKB, ka caktuar persona që merren me këtë temë. Deri tani OKB nuk ka qenë në gjendje të krijojë mekanizmat e duhur për përndjekjen ligjore të dhunës seksuale në konfliktet e armatosura. Në një rast të Gjykatës Ndërkombëtare për Ruandën, gjykatësi e bëri përgjegjës të akuzuarin ndër të tjera edhe për krime seksuale gjatë konfliktit.

Kërkohen hetime dhe dënime

Grupet që merren me këtë punë, kërkojnë që t’i japin mundësinë Gjykatës Ndërkombëtare për të pasur mundësinë e hetimeve dhe dënimit. Gjermania dhe BE e mbështet këtë ide. Zbatimi i saj varet nga përkrahja e vendeve të tjera.

Raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm dokumenton dhunën seksuale në konflikte në 19 konflikte ku marrin pjesë 47 palë. Ndër aktet e dhunës bëjnë pjesë përdhunimi, skllavërimi seksual, prostitucioni i detyruar, lënia shtatzanë, abortimi, sterilizimi dhe martesa e detyruar. Nga ekspertët është bërë e ditur se të dyja gjinitë vazhdojnë të vuajnë brutalitetin e dhunës seksuale në konflikte dhe se dhuna seksuale është metodë e zakonshme e torturimit të të burgosurve. Në shumë konflikte të burgosurit janë burra dhe djem. Por, në përgjithësi gratë dhe vajzat janë shumë më të prekura nga dhuna seksuale. Krizat më të mëdha kanë të bëjnë me refugjatët rohingya në Myanmar, konfliktet në Siri, Nigeri, Kongo, Sri Lanka, Sudanin Jugor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme