Kërkohet angazhim më serioz në zbatimin e legjislacionit për të drejtat e njeriut

Prishtinë | 18 Dhj 2019 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të shënimit të Javës për të drejtat e njeriut, organizuar nga Fakulteti Juridik, sot u mbajt një tryezë diskutimi në këtë temë, si dhe u prezantua Platforma për të drejtat e njeriut, e financuar nga Qeveria Norvegjeze dhe UNDP.

Në këtë tryezë, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari u foli fillimisht studentëve për historikun e institucionit që e drejton. Ai tha se Ombudsmani apo Avokati i Popullit është themeluar rreth 200 vjet më parë në Suedi, ndërsa sot janë 140 vende në botë që e kanë këtë institucion.

Jashari tregoi edhe për gjenezën e themelimit të këtij institucioni në Kosovë, ku siç tha ai për herë të parë ky emërtim në Kosovë gjendet në dokumentet e Marrëveshjes së Rambujesë.

Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, theksoi se mbrojtja e të drejtave të njeriut mbetet sfidë jo vetëm për vendin tonë por edhe për vendet që janë në nivel më të lartë të demokracisë.

Çoçaj rikujtoi studentët se mbrojtja e të drejtave të njeriut në Kosovë është e drejtë kushtetuese: “Neni 22 i Kushtetutës së Kosovës, siguron aplikueshmëri të drejtpërdrejtë të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe në rast konflikti garanton prioritetin e tij në krahasim me ligjet dhe aktet tjera të institucioneve publike”. Kjo për faktin se Kosova ende nuk ka mundësi të ratifikojë konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, pasi nuk është anëtarë e OKB-së dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtar.

Valbona Bogujevci nga UNDP tha se korniza ligjore e Kosovës garanton gjerësisht mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por nevojitet angazhim më serioz për zbatimin e legjislacionit.             

Bahri Hyseni, kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, tha se KPK po ndërmerr hapa në drejtim të avancimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut me qëllim që për qytetarët të sigurojmë hetime në kohë efikase, procedura efikase në ndjekjen e kryerësve të veprave penale dhe t’ i nxjerrim para organeve të drejtësisë ashtu siç e kërkon ligji.

“Lufta jonë e përditshme është që të zbatohet drejt legjislacioni dhe në mënyrë të paanshme dhe qytetarët të respektohen me dinjitet dhe në parimet e standardeve evropiane”, tha Hyseni.

Në këtë tryezë u bë edhe prezantimi i Platformës për të drejtat e njeriut, e cila do të jetë një mjet pune për të gjithë ata që merren profesionalisht me zbatimin e ligjit por do të ndihmojë edhe hulumtuesit shkencor në këtë fushë.

Në pjesën e debatit me studentë, në pyetjen e studentit Leandrit Llunji, nëse mosliberalizimi i vizave paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, në veçanti kufizim të lirisë së lëvizjes, u përgjigj ambasadori norvegjez në Kosovë, Jens Erik Grondahl, i cili tha se kjo mund të konsiderohet diskriminim politik. 

“Nëse do të varej nga unë, unë do t’ i largoja vizat menjëherë. Por në momentin që do të bëhet liberalizimi kosovarët do të kenë qasjen e njëjtë si Norvegjia. A është shkelje – ligjërisht jo, politikisht njerëzit mund ta konsiderojnë si diskriminim politik. Mund të duket edhe më qesharaku kur e sheh se ka disa vende si Gjeorgjia, Ukraina, Moldavia gëzojnë liberalizimin e vizave, me kushte shumë të vogla për të mos thënë fare”, tha ambasadori Grondahl.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme