Kërkohet bashkëpunim regjional për krimet e luftës, kryesit gjenden jashtë vendit

Prishtinë | 12 Dhj 2018 | 12:00 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ka diskutuar sot rreth procedimit të krimeve të luftës të kryera gjatë luftës në ish-Jugosllavi.

Aty u tha se dëshmitë për kryerjen e krimeve në Kosovë gjenden në Serbi dhe se kjo e fundit nuk po bashkëpunon me Kosovën për të ofruar fakte. Në këtë diskutim u tha se bashkëpunimi regjional për krimet e luftës duhet të ngrihet në masë më të madhe, raporton Ekonomia Online.

Prokuroria tregoi se janë identifikuar kryesit e krimeve, por që fatkeqësisht gjenden jashtë vendit dhe përderisa Kosova nuk është në Interpol, nuk mund të kërkohet futja në listë e kryesve të krimeve.

Natasha Kandiq, themeluese e FDH dhe  koordinatore e KOMRA-së, ka thënë se duhet të krijohet një regjistër rajonal për të gjitha shtetet e rajonit për krimet e luftës. Sipas saj, bashkëpunimi rajonal është shumë  i rëndësishëm për një të ardhme të mirë.

“Bashkëpunimi regjional është i rëndësishëm për të gjithë ne në ish territorin e ish-Jugosllavisë për ti parë cilat janë qëllimet tona të përbashkëta, që të gjitha ato që kanë ndodhë të kuptohet se nuk do të ndodhin më”, tha ajo.

E, duke folur për Tribunalin e Hagës apo Prokurorinë, tha se nuk ka pasur gabime sa i përket viktimave të krimeve të luftës.

“Duke iu falënderuar Tribunalit të Hagës kemi diku 20 mijë viktima të luftës të cilëve ua dimë identitetet. Tribunali i Hagës na lë si trashëgimi faktet që në të ardhmen do na parandalojnë të mbesim të heshtur për rastet e krimeve të luftës. Përkundër shtypjeve politike ata kanë arrit që të bëhet i ditur një numër i viktimave të krimeve të luftës dhe të jenë në shkresat gjyqësore”, tha Kandiq.

Drita Hajdari, prokurore speciale nga departamenti për krime lufte, ka thënë problem mbetet se kryesit e krimeve të luftës të identifikuar nga prokuroria gjinden jashtë Kosovës.

“Numri i lëndëve që është ballafaquar prokuroria speciale, i kemi 840 raste të luftës të pranuar nga EULEX-i, prej të cilëve i kemi të identifikuar 1018 persona si kryes të krimeve të luftës. Mbi 1000 persona të cilët nuk gjenden në territorin e Kosovës dhe shtrohet pyetja se si mund ti gjejmë. Personat që i kemi gjet janë proceduar ndërsa mundësitë për këta personat tjetër që nuk gjenden në Kosovë, mundësitë janë shumë të zvogëluara”, tha prokurorja Hajdari.

Duke folur rreth krimeve të luftës, ajo shprehi shqetësimin se kryesit nuk mund të sillen para drejtësisë ngase Kosova nuk është pjesë e Interpolit dhe kryesit e këtyre veprave nuk mund të futen në listën e kërkuarve.

“Shtrohet pyetja sa është i gatshëm Interpoli ti fusë në listën e të kërkuarve,  duke qenë se Kosova nuk është anëtare e Interpolit.  Nuk kemi mundësi as me ngritë aktakuzën e lë më me u paraqit në Gjykatë. Kosova nuk ka as mundësi që kryesit të gjykohen në mungesë, e vetmja mundësi me të cilën disponon është me i kry hetimet, me i grumbulluar provat dhe me prit. Në një situatë ku kemi filluar me pranu kritika, shpesh drejtohet gishti drejt prokurorisë se nuk kemi bërë asgjë në ndriçimin e krimeve të luftës”, tha ajo.

Ajo ka thënë se e vetmja shpresë që kanë në ndriçimin e rasteve është bashkëpunimi me Serbinë, pasi posedon të gjitha dëshmitë.

“Numri i rasteve të proceduara nga UNMIK-u është shumë i vogël. Në gjithë këto raste që i kemi në punë, për momentin nuk kemi asnjë bashkëpunim me Serbinë, me të cilën bashkëpunimi kish me qenë më i rëndësishëm, sepse shumica e provave dhe gjithçka që na nevojitet gjendet në Serbi”, tha ajo.

Sam Paice, shef i zyrës ligjore në Ambasadën Britaneze,  ka thënë se e ardhmja më e mirë mund të vijë nga bashkëpunimi rajonal mes shteteve dhe kërkesa e vazhdueshme e qytetarëve për drejtësi për krimet e luftës.

“Të flasësh për luftën dhe krimet e luftës dhe gjykimet e tyre nuk është e lehtë. Lufta krijoi dhimbje dhe pasoja, lufta e la Kosovën me shumë humbje dhe të zhdukur ku mbeten ende të zhdukur më shumë se 1600 persona. Familjarët e të zhdukurve kërkojnë drejtësi, viktimat e dhunës seksuale kërkojnë drejtësi. Por tani jemi 19 vjet pas luftës, shoqëria ka nevojë ti shërojë plagët, por për ti shëruar duhet ti dëgjojmë ato që kanë ndodhur. Të gjithë jemi njerëz dhe të gjithë kemi nevojë për drejtësi. Kosova formoi Gjykatën Speciale dhe me këtë tregoi se Kosova nuk ka frikë”, tha Paice, raporton Ekonomia Online.

Ai i inkurojaoi qytetarët që të kërkojnë drejtësi derisa tha se rruga e vetme është pajtimi mes popujve.

“Ajo çfarë mund të bëjmë është të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, ne i inkurajojmë qytetarët që të kërkojnë për drejtësi dhe këshillojmë se rruga e vetme është pajtimi mes popujve në këtë rajon. Nuk mund të priten rezultate të mjaftueshme kur e dimë se vetëm një prokuror merret me këto raste”, tha ai.

Paul Flynn, menaxher i prokurorisë për tranzicion dhe dorëzim në EULEX, gjithashtu ka paraqitur mos bashkëpunimin rajonal si problem për zbardhjen e krimeve të luftës.

“Më kanë pyetur se cilat janë pengesat lidhur me ndjekjen e krimeve të luftës, përveç lëndëve të ngarkuar, çështjen e dëshmitarëve, provave, problemi më i vështirë që kam hasur është mungesa e një bashkëpunimi efektiv rajonal. Kemi dorëzuar diku 1300 raste të partnerëve vendor që janë krime lufte që UNMIK-u ia kishte dorëzuar EULEX-it për kompetencat për sigurimin e ligjit”, ka thënë ai.

 

 

Të ngjashme