Kërkohet buxhet i mjaftueshëm për strehimoret për të mbijetuarat e dhunës

Prishtinë | 18 Dhj 2018 | 12:23 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore u ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe deputetëtve të Kuvendit të Kosovës që të ndajnë buxhet të mjaftueshëm për strehimoret për të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore, raporton Ekonomia Online.

Kjo është letra dërguar legjislativit nga Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore i bën thirrje fuqimisht Kuvendit të Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Projektbuxhetit për vitin 2019 me qëllim që të sigurohet financim i qëndrueshëm për strehimoret përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për t’u mundësuar strehimoreve të përmbushin nevojat e të mbijetuarave të dhunës në baza gjinore. Kjo kërkesë është në pajtim me Strategjinë e Kosovës për mbrojtje nga dhuna në familje dhe planin gjegjës të veprimit 2016-2020, përkatësisht garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së të mbijetuarave të dhunës në familje dhe të trafikimit me njerëz, duke përfshirë këtu fëmijët, dhe është njëherazi obligim kushtetues, përgjegjësi ligjore dhe politike e institucioneve të Kosovës.

Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, në Policinë e Kosovës janë raportuar 1,129 raste të dhunës në familje, ku 80% syresh janë raportuar nga gratë. Veç kësaj, që nga fillimi i vitit 2018, Policia e Kosovës ka raportuar shtatë raste të dhunës në familje që kanë rezultuar me fatalitet. Është detyrim i institucioneve që t’i parandalojnë, hetojnë dhe ndëshkojnë të gjitha aktet e dhunës kundër grave dhe fëmijëve, të kryera qoftë në sferën private apo atë publike, si dhe ta parandalojë ripërsëritjen e tyre. Strehimoret ofrojnë shërbime themelore të mbrojtjes, rehabilitimit dhe riintegrimit për gra dhe fëmijë në mënyrë që ata të mund t’i ikin mjedisit ku ushtrohet dhuna dhe t’u ofrohet këshillim e kujdes, madje duke shpëtuar shpesh edhe jetën e tyre. Kështu, ndarja e buxhetit të qëndrueshëm për të mbuluar shpenzimet operative të strehimoreve është jo vetëm detyrim moral, por edhe ligjor.

Shërbimet e mbrojtjes, rehabilitimit, riintegrimit dhe mbështetjes që ofrohen nga tetë (8) strehimoret për të mbijetuarat e dhunës në familje, një (1) qendër këshillimore ditore për të mbijetuarat e DHBGJ-së në Mitrovicën Veriore, një (1) strehimore për fëmijët (të mbijetuarit nën moshën 18 vjeçare) dhe një (1) strehimore tjetër për të mbijetuarat e trafikimit me njerëz, u japin të mbijetuarave ca kohë për ta rimarrë veten dhe për ta filluar jetën nga e para, përmes një sërë shërbimesh të ofruara dhe sistemesh referimi. Këto strehimore ofrojnë shërbimet më themelore dhe bazike për respektimin e të drejtave dhe dinjitetit të të mbijetuarave të dhunës në baza gjinore dhe të fëmijëve që u janë ekspozuar situatave ku është ushtruar dhunë.

Nevojitet urgjentisht që institucionet përkatëse t’i plotësojnë këto nevoja dhe t’i përmbushin obligimet e tyre, më saktësisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale që i licencon, kontrakton dhe inspekton këto shërbime duke miratuar formimin e institucioneve me qëndrim afatgjatë dhe shpenzimet financiare të tyre.

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta ndryshojnë linjën buxhetore Nr.00600 – 1040 për shërbime sociale të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ashtu që buxheti i paraparë për strehimoret në Projektbuxhetin për vitin 2019 të rritet për €450,000 Euro, duke e rritur linjën gjegjëse buxhetore nga 4,500,000 në 4,960,000 gjithsej, në mënyrë që të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarave të dhunës në baza gjinore dhe të përmbushen obligimet ligjore dhe të politikave të shtetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme