Kërkohet buxhet i veçantë për viktimat e dhunës, mungojnë donacionet

Prishtinë | 19 Jan 2019 | 08:06 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vetëm gjatë vitit 2019-të sipas statistikave të OSBE-së kanë dal të jenë mbi 400 raste të dhunës në familje të cilët gjenden në strehimore. Për strehimin e këtyre viktimave po përkujdesen strehimoret të cilat nuk qëndrojnë  financiarisht mirë, ngase si pasojë e financimit u mbyll edhe strehimorja në Prishtinë.

Zëvendësministri i Drejtësisë dhe koordinatori nacional kundër dhunës në familje, Naim Qelaj në një intervistë për Ekonomia Online tha se financimi ka qenë sfida kryesore e të gjitha strehimoreve që qëndrojnë në Kosovë dhe shkak i mbylljes së strehimore së Prishtinës.

“Problemet që sot ballafaqohen strehimoret, nuk është problem i sotëm, por është i viteve të mëparshme, është përcjellë vazhdimisht vit pas viti, qysh prej ditës së parë që jam emëruar si koordinatorë jam ballafaquar me situatën që strehimorja e Prishtinës ka qenë e mbyllur është fjala për fillim vitin e 2018-tës”.

“Pas zgjidhjes së problemit të kësaj strehimore  dhe një ndërhyrje ad-hock të Qeverisë me financim nga mjetet rezervë atëherë kam pas kohë me bë më shumë analizë pse ekzistojnë këto vështirësi në financim dhe cilat janë mënyrat më të mira me i zgjedhë problemin e financimit të qëndrueshëm të strehimoreve”, tha ai.

Qelaj tha se strehimoret luajnë rol të veçantë për viktimat e dhunës dhe si shkak i kësaj së shpejti edhe në Novobërdë do të hapet një strehimore e re ku kryesisht do t’i shërbej viktimave që vinë nga komuniteti serb.

“Aktualisht në Kosovë funksionojnë 7 strehimore apo shtëpi të sigurta ku viktimat e dhunës në familje strehohen përkatësisht si zgjidhje e përkohshme të situatave të tyre kur mbesin pa strehim dhe banim, është në fazën e licencimit edhe një strehimore, strehimorja e Novobërdës dhe kjo strehimore kryesisht do të shërbej për viktimat që vinë nga komuniteti serb”, tha ai.

Qelaj tha se edhe vitin e kaluar janë mbajtur disa takime ku synohet të arrihet një zgjidhje sa më e mirë për strehimoret dhe se thirrja për grante është bërë në periudhën e muajit dhjetorë.

“Ka përfunduar afati i shpalljeve publike dhe shpresojë që shumë shpejtë ka mu përfunduar edhe procedura e përzgjedhjes së organizatave që i plotësojnë kushtet për me i përfituar këto grante. Alternativa e dytë ka qenë kërkesa ime drejtuar ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale po edhe institucioneve tjera që grantet në strehimore të mos ndahen për një vit”.

“…për një periudhë më të gjatë kohore, pra kërkesa ka qenë që të ndahen për tri vite aq sa zgjatë edhe licencimi i organizatave që kanë të drejtë me e ushtruar këtë veprimtari të hapin strehimoret dhe alternativa e tretë që besojë është risi në sistemin ligjor të Kosovës sa i përket trajtimit dhe punës në raport me viktimat në familje e kryesisht me strehimore, do të jetë ndryshimi i financimit të pushtetit lokal”, është shprehur Qelaj.

Qelaj gjithashtu tha se Komunat duhet të kontribuojnë më shumë në raste të tilla pasi sipas tij ato nuk duhet të ofrojnë vetëm siguri, por edhe riintegrim, aftësim profesional dhe mundësi për integrim.

Përveç që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka mbuluar 50% të shpenzimeve të këtyre strehimoreve, Qelaj përmendi edhe donacionet e mëhershme që u janë bërë  strehimoreve e që sipas tij tani ato mungojnë.

“Vazhdimisht ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale mbulon pjesën 50 % të shpenzimeve që i kanë strehimoret është një kuotë të cilën kur është krijuar politika si duhet të financohen strehimoret ka qenë propozim që këto të funksionojnë si OJQ  ndërsa pjesa tjetër OJQ-të mundë ta sigurojnë përmes donacioneve, në fillim ka pas donatorë të shumtë mirëpo kohëve të fundit kemi vërejt që këto donacione mungojnë”, tha Qelaj, në një intervistë për Ekonomia Online.

Duke parë raste të shumta të dhunës në familje që po ndodhin kohët e fundit dhe se a i përballojnë këto strehimore këtë fluks të viktimave  Qelaj tha këto strehimore i mbulojnë ato kërkesa minimale.

“Duhet të ketë rritje të strehimoreve mirëpo edhe këto aktualet mbulojnë ndoshta jo në kapacitetet e mjaftueshme ashtu si duhet të jetë akomodimi për viktimat megjithatë plotësojnë kushtet minimale dhe janë të gatshme me e përballu fluksin e viktimave të dhunës në familje që kanë nevojë për strehim në këto strehimore”, tha ai.

Ai tha se ka pasur kërkesë që një strehimore të hapet në veri të Mitrovicës.

“Një kërkesë ka qenë që të hapet edhe në pjesën e veriut një strehimore, të them të drejtën unë nuk e kam kundërshtuar një ide të tillë edhe pse konsiderojë se nuk duhet të ketë ndarje të tilla në baza nacionale sidomos tek viktimat sepse ato kanë një hallë të përbashkët, por duke parë insistimet pas shumë takimeve me përfaqësues që funksionojnë në komunat e veriut kemi ardhur në përfundim se duhet të hapet strehimore edhe për këtë territor dhe shumë shpejtë do të kemi një takim që të japim një propozim si mund të zgjidhet kjo”, u shpreh ai

Aktivitetet në këto strehimore sipas Qelajt nuk mungojnë në të dy llojet e strehimoreve.

Qelaj tha se projektet për vitet e ardhshme do të vazhdojnë. Ai gjithashtu tha se është dorëzuar një projekt në zyrën e BE-së, e që do tu mundësoj viktimave të dhunës të bëhen të pavarura nga ana financiare.

Të ngjashme