Kërkohet dënim me 35 vjet burgim ndaj të akuzuarit për dhunimin dhe vrasjen e Kujtim Veselit

Prishtinë | 11 Mar 2021 | 13:12 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria dhe pala e dëmtuar e përfaqësuar nga avokatja Rina Kika po kërkojnë nga Gjykata e Apelit që të ashpërsojnë dënimin në 35 vjet ndaj të akuzuarit S.O. për dhunimin dhe vrasjen e të miturit në Fushë Kosovë.

S.O ishte shpallur fajtor dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënim me burgim unik në kohëzgjatje prej 25 vjet për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “dhunim”.

Ai akuzohej se me datë 11 korrik 2019 në Fushë Kosovë kishte detyruar të miturin Kujtim Veseli të kryente akt seksual dhe pastaj kishte përdorur dhunë ndaj tij duke e goditur me mjet të fortë, ku si pasojë e këtyre goditjeve kishte ardhur deri te vdekja e dhunshme e tij.

Të pakënaqur me dënimin e shqiptuar brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar kishin ushtruar ankesë mbi lartësinë e dënimit.

Prokuroria ka propozuar që të akuzuarit t’i shqiptohet dënimi në burgim prej 35 vjetësh.

Përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Rina Kika, përmes ankesës ka kërkuar që ndaj të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim me burgim prej 35 vjetësh.

Avokatja Rina Kika deklaroi se mbetet pranë ankesës së ushtruar.

“Ne konsiderojmë se i vetmi dënim që nuk ka mundur të shqiptohet është ai me burgim të përjetshëm pasi që ai ka qenë 19 vjet. Ne vlerësojmë se dënimi prej 35 vitesh është dënimi i duhur që duhet të shqiptohet”, tha ajo gjatë kësaj seance.

Ajo kërkoi nga Gjykata e Apelit që i akuzuari të dënohet maksimalisht pasi që në këtë mënyrë do të përçonte një mesazh tek kryerësit e veprave penale të dhunimit të të miturve.

Ndërkaq përmes përgjigjes në ankesë të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Fitim Malokaj ai ka kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet.

Gjatë kësaj seance ai deklaroi se aktgjykimi është i qartë dhe i argumentuar dhe në harmoni të plotë me arsyetimin e dhënë.

Ai konsideron se vendimi i shkallës së parë është i drejtë dhe i bazuar në ligj.

Prokuroria e Apelit ka kërkuar nga gjykata që të aprovoi ankesën e prokurorisë dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i lartë.

Prokurori i apelit, Haxhi Dërguti gjatë seancës i propozoi Gjykatës së Apelit që të aprovoi ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ai po ashtu deklaroi se e përkrah ankesën e palës së dëmtuar.

Ndryshe, sipas aktgjykimit të shpallur më 12 tetor 2020 i akuzuari S.O ishte shpallur fajtorë për veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “dhunimi” për çka ishte dënuar me 25 vite burgim.

I akuzuari para shpalljes së dënimit kishte pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat e ngarkonte prokuroria.

Gjykata e kishte refuzuar pranimin e fajësisë për veprën penale të vrasjes, ndërsa e kishte aprovuar pranimin e fajësisë për veprën penale të dhunimit.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari S.O akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë së me datë 11.07.2019 në Fushë Kosovë kishte detyruar të miturin K.V të kryente akt seksual dhe pastaj kishte përdorur dhunë ndaj tij, duke e goditur me mjet të fortë, ku si pasojë e këtyre goditjeve kishte ardhur deri te vdekja e dhunshme e tij.

Me këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprën penale të “dhunimit” dhe “vrasjes së rëndë”.betimi për drejtësi

Të ngjashme